Kukeli te Sion, i bashkohet Lenjanit e Tramezzanit

09/08/2017 00:00

Futbollisti i kombëtares shqiptare, Burim Kukeli zyrtarizoi transferimin e tij te Sion duke krijuar kështu një minikoloni kuqezi në ekipin e ligës helvetike.

Mesfushori që është përdorur edhe në prapavijë në raste emergjente në kombëtaren kuqezi arriti akordin për dy sezone me rivalët e Zyrihut, në një lëvizje që konkretizohet vetëm 1 ditë para se dy klubet të përballen mes tyre.
 
Klubi i Sion zyrtarizoi marrëveshjen për futbollistin e shumëkërkuar nga trajneri Paolo Tramezzani, ish-zëvendës trajneri i Shqipërisë që i njeh shumë mirë aftësitë e 33 vjeçarit. Skuadra helvetike në përmbledhjen e saj për tifozët, renditi pjesëmarrjen e Burim Kukelit në Euro 2016 si dhe 23 ndeshjet e tij me përfaqësuesen.
 
Sidoqoftë, mesfushori Kukeli nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Tramezzani deri të dielën në Kupën e Zvicrës. Ai pritet të jetë një lojtar i qëndrueshëm në formacionin titullar, së bashku me futbollistin tjetër të kombëtares shqiptare, Ermir Lenjani.

Top Channel