Rama në Lushnje e Fier: PS ndryshoi Shqipërinë

19/06/2017 00:00

Në Lushnje, ku është ndalur pasditen e së hënës, kryeministri Edi Rama ka përsëritur mesazhin se në këto vite qeverisje, PS dha provën se jo të gjithë janë njësoj.

“Po të ishim të gjithë njësoj Lushnja do të ishte ajo që gjetëm para 44 muajsh. Po të ishim të gjithë njësoj Lushnja nuk do të kishte qenë objekt i Rilindjes Urbane, që ne do ta çojmë në çdo cep të Shqipërisë”, ka deklaruar Rama.

Për kreun e PS, ndryshimet që ka përjetuar Shqipëria në këto 4 vjet janë dëshmi e diferencës që kanë bërë socialistët.

“Sikur të ishim të gjithë njësoj sot do të kishim një shtet rrumpallë si ai që gjetëm 44 muaj më parë dhe Shqipëria nuk do të kishte dalë nga gropa e borxhit ku e kishte zhytur qeveria e mëparshme”, ka vijuar Rama.

Ai ka shtuar se ky ndryshim ka bërë të mundur realizimin e reformave, të cilat sot po japin sipas tij rezultat.

“Pikërisht pse vota vlen, sot kush fiton më pak paguan më pak dhe kush fiton më shumë paguan më shumë. Pikërisht pse vota vlen, sot 88 mijë familje që kanë hapur një biznes të vogël dhe punojnë e punësojnë të tjerët dhe paguan zero taksa”, ka thënë Rama.

Në fund ai ka përsëritur apelin për sa më shumë vota për PS më 25 qershor. “Mos shikoni majtas ose djathtas, por na jepni votën dhe do të bëjmë në 4 vitet e ardhshme katërfishin e atyre që kemi bërë në këto 4 vjet”, ka shtuar Rama.

Të njëjtin mesazh Rama ka përsëritur edhe pak më vonë në një miting të mbajtur në Fier, ku mes të tjerash ka ironizuar programin elektoral të PD dhe, duke i mëshuar diferencës, ka nënvizuar se PS i ka pranuar gabimet e saj. “Njesoj siç pranova unë gabimin kur i bëra thirrje policisë”, ka thënë Rama.

Top Channel