Mziu kërcënon për flamujt, Rama e Tahiri publikojnë videot

19/06/2017 00:00

Edi Rama ka postuar në profilin e tij në Facebook një video ku shfaqet kryetar i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, i cili u drejtohet qytetarëve që të heqin flamujt e LSI dhe PS nga shtëpitë, në të kundërt banesat do t’u shemben.

Nisur nga kjo ngjarje, gjatë një takimi në Kashar, Rama ka këmbëngulur dhe njëherë se jo të gjithë politikanët janë njësoj.

“Si mund të jetë njësoj të votosh për lali Erin dhe për Xhelalin, i cili nga një bodrum i Republikës së Re thotë se do t’iju prish shtëpitë”, ka thënë Rama.

Po në Facebook ka postuar një video edhe kryetari i PS së Tiranës, Saimir Tahiri. Në të shfaqet kandidati i LSI-së, Viktor Tusha pas vizitës në shtëpinë e personit të dëmtuar pak ditë më parë Gjovalin Gjini.

Nën diçiturën “Shih e shkruaj, thotë populli, se sado të shkruash kur sheh kështu skenash, çdo fjalë është e tepërt”, Tahiri ka lënë qytetarët të mendojnë vetë për përmbajtjen e videos.

Pas publikimit të videos nga Tahiri ka reaguar Viktor Tushaj. Ai pranon se në zarf ka pasur para, por jep këtë argument:

“Zakoni i malësorit, zadrimorit, mirditorit dhe i gjithë shqiptarëve është që në raste tilla filxhani i kafes nderohet. Unë së bashku me miqtë e Gjovalinit tërë jetën tonë e kemi respektuar dhe do ta respektojmë këtë traditë të bukur. Nëse dikush i ka harruar këto vlera, ky është turpi i tyre”, ka shkruar kandidati i LSI për qarkun e Lezhës.

Por i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Tahirit. “Më shqetëson justifikimi, ‘se kështu është zakoni’. Nuk është kështu zakoni i shqiptarëve, që të blejnë, të korruptojnë. Zakoni i shqiptarëve është t’u hapin derën njerëzve në nevojë”, ka thënë Tahiri në një takim elektoral.

Top Channel