United fiton Europa League dhe “Champions”

24/05/2017 00:00

As talentet që hodhi në fushë Ajaksi nuk e ndalën dot vrullin e Manchester United në ndeshjen që shpëtoi sezonin aktual nga dështimi, pasi “Djajtë e Kuq” fituan 2-0 në finalen e Europa League.

Sfida e zhvilluar në “Friends Arena” të Stokholmit në Suedi nisi me një minutë heshtje si shenjë respekti për viktimat e sulmit terrorist mbrëmjen e së hënës në Manchester Arena.

Mbrëmja e sotme regjistroi suksesin e formacionit ishullor që me një lojë disi cinike, por efikase të diktuar nga eksperienca, prevaloi ndaj të rinjve të ekipit holandez, duke ngritur edhe finalen përballë 51 mijë spektatorëve.

Vetëm 18 minuta zgjati ekuilibri pasi “Djajtë e Kuq” morën epërsinë me një gol me shumë fat, kur goditja e Pol Pogba’ u devijua duke marrë një trajektore të çuditshme drejt portës së Ajaksit.

Me këtë rezultat shkuan në pushim, por me rinisjen e lojës, Manchester United i dha një tjetër goditje holandezëve që hipotekoi trofeun. Armeni Henrik Mkhitarian përfitoi nga hezitimi i mbrojtësve për të shënuar pranë vijës fatale në zhvillimet e një topi nga këndi, gol që vulosi dhe suksesin.

Minuta e mbetura të lojës nuk sollën asnjë ndryshim dhe asnjë rast të rrezikshëm nga asnjë prej skuadrave, duke i garantuar kështu trofeun e  parë të  Europa League Manchester United-it.

Me triumfin e  sotëm, United siguroi edhe pjesëmarrjen në edicionin e ardhshëm në Champions League, të cilën nuk e arriti dot nëpërmjet renditjes në Premier League.

FOTO GALERI
1/21

Top Channel