Vrasja në Vlorë ndodhi për një shuplakë

22/04/2017 00:00

Dalin detajet të tjera mbi vrasjen e ndodhur mbrëmjen e datës 20 prill në një lokal në zonën e Ujit të Ftohtë në qytetin e Vlorës.

Pas arrestimit të shtetasit Gani Tozaj për vrasjen e 33-vjeçari Ergys Gjoveshaj dhe plagosjen e tre personav të tjerë, është shpallur në kërkim edhe Aranit Kondaj, 37 vjeç, i cili akuzohet për veprën penale të “Vrasjes në rrethana cilësuese të rrezikshme për jetën e shumë personave dhe e kryer në bashkëpunim” si dhe për “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”. Në kërkim është shpallur edhe shtetasi  E.S., 25 vjeç për moskallëzim krimi.

Arrestimi i Gani Tozajt ka ndodhur në banesë ku po flinte në zonën ku ndodhi vrasja, pak metra larg ambientit. Policia në momentim e arrestimit ka gjetur atletet e Gani Tozajt, madje në to kishte ende gjurmë gjaku.

Arrestimi është bërë në orën 06:00 të mëngjesit të 21 prillit, ndërkohë që burime nga policia konfirmojnë se për identifikimin e tij  dhe personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje janë marrë edhe pamjet e kamerave të lokalit, por edhe të ambienteve të tjera përreth.

Gjithashtu, dalin edhe detaje të tjera referuar asaj çfarë ka ndodhur dhe mësohet se sherri ka ardhur për motive të dobta për përplasje verbale.

Gani Tozaj ka qenë në tavolinë me Aranit Kondajn kur atyre u është afruar Ergys Gjoveshaj dhe pasi kanë debatuar për disa minuta, Ergys Gjoveshaj ka goditur me pëllëmbë njërin nga personat që ndodhej pranë tyre.

Nga tavolina e Ganiut janë nxjerrë armët dhe është qëlluar në drejtim të 33-vjeçarit dhe policia dyshon se edhe një prej shokëve të Ergys Gjoveshajt mund të ketë nxjerrë armën dhe të ketë qëlluar në drejtim të autorëve të ngjarjes.

Policia po punon për arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në ngjarje. Ndërkohë i arrestuari Tozaj është marrë në pyetje nga policia dhe mësohet se ka pranuar autorësinë dhe se gjithçka ka ndodhur pas një grindjeje të nisur në ambientet e lokalit në kohën kur aty luhej muzike live.

“Nuk kishim njohje me personin në fjalë, por gjithçka nisi si papritur kur viktima erdhi pranë tavolinës tonë për të debatuar. Pas kësaj është goditur një nga shokët tanë me pëllëmbë, çka ka sjellë që të përfundonte gjithçka më pas në shkrehje armësh”, mësohet të ketë thënë ai.

Ndërkohë, ekspertiza ende nuk ka konfirmuar se kush ka qëlluar në drejtim të Gjoveshajt, ndërsa mendohet se veç Tozajt edhe Kondaj mund të ketë goditur me armë në drejtim të tij. Mësohet nga informacionet e policisë se mund të jenë shkëmbyer mbi 20 plumba, ndërsa Gjoveshaj ka marrë gjashtë plumba në trup dhe ka humbur jetën sapo ka dalë nga ambientet e lokalit.

Top Channel