DASH, thirrje forcave politike në Maqedoni: Formoni qeverinë!

20/04/2017 08:20

Departamenti amerikan i Shtetit u bëri thirrje autoriteteve të Maqedonisë të formojnë pa vonesa qeverinë e re.

Një zëdhënës i DASH-it tha për VOA-n se, pas zgjedhjeve të dhjetorit ekziston një shumicë e qartë parlamentare dhe qeveria e re duhet të formohet pa zvarritje të mëtejshme, në mënyrë që vendi të rifillojë reformat e duhura për t’u anëtarësuar në familjen euroatlantike.

“Politikanët që përpiqen të bllokojnë formimin e qeverisë, – ishte komenti i zyrtarit amerikan, – po minojnë shtetin ligjor, procesin demokratik, stabilitetin e vendit dhe të rajonit më gjerë”.

“Shtetet e Bashkuara, – theksoi zëdhënësi, – do të punojnë me partnerët europianë për t’i nxitur politikanët të heqin dorë nga pengesat, ndërsa do t’i konsiderojë ata përgjegjës për veprimet e tyre”.

Maqedonia vazhdon të mbetet pa një qeveri që pas zgjedhjeve të parakohshme të dhjetorit. Kalimin e pushtetit LSDM-së, që ka marrë votat e partive shqiptare, po e pengon presidenti Gjorge Ivanov. Ai deklaroi të mërkurën në Shkup se nuk do ta japë mandatin, derisa të largohet ajo që e cilëson si pengesën kryesore politike për formimin e ekzekutivit.

“Për sa kohë që pengesa nuk hiqet, nuk mund të marr një vendim, i cili më vonë do të kundërshtohet. Nëse e marr vendimin dhe ai sfidohet, atëherë unë do të kem përgjegjësi në këtë mes. Për këtë arsye kërkoj, madje këmbëngul në largimin e të gjitha pengesave ligjore dhe politike”, tha Ivanov.

LSDM-ja pretendon se shumë shpejt do të zgjidhet kryetari i Parlamentit dhe më pas do të formohet qeveria reformatore. Por partia e ish-kryeministrit Nikola Gruevski, VMRO-DPMNE vazhdon të kërcënojë me trazira, nëse pushteti kalon në duart e socialdemokratëve.

Top Channel