Sekuestrohet tokë në Baks-Rrjoll

24/03/2017 00:00

Gjykata e Shkodrës ka vendosur masën e sekuestros ndaj 23 mijë metrave katrorë tokë në fshatin Baks-Rrjoll.

Ky vendim u dha pas kërkesës së Prokurorisë së Shkodrës, që pas hetimit, ka ngritur dyshime të bazuara në prova që sipërfaqja e tokës në fjalë është tjetërsuar nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve.

Nga hetimi ka rezultuar se personi që ka përfituar tokën nëpërmjet falsifikimit është shtetasi Vate Lari, i cili e ka shitur menjëherë sipërfaqen e tokës dhe është larguar drejt Francës, së bashku me familjen e tij.

Sipas prokurorisë, tjetërsimi i pronës në emër të Vate Larit është bërë duke paraqitur një dokument të falsifikuar sikur të ishte lëshuar nga Bashkia e Velipojës, sipas të cilës, shtetasi Vate Lari është i njëjti person me Vate Kol Marashin, që kishte pronësinë e tokës.

Top Channel