“Fiks Fare”, urat e prishura izolojnë banorët e Skurajt dhe Bazës

24/03/2017 00:00

Banorët e fshatit Skuraj ankohen për prishjen e urës që lidh dy lagjet e këtij fshati. 7 vite më parë, kjo urë u përurua nga Komuna Skuraj me një vlerë prej 100 milionë lekësh. Me ndarjen e re administrative, përgjegjësia e kësaj ure kaloi mbi Bashkinë e Kurbinit, e cila është në dijeni për ankesat e vazhdueshme të banorëve që rrezikojnë jetën.

Banorët shprehen se janë detyruar të tërheqin fëmijët nga shkollat për t’i transferuar në shkolla të largëta. Sipas tyre, transporti është i papërballueshëm dhe kërkojnë patjetër që kjo urë të ndërtohet. Ata kërkojnë ndihmë përmes kamerave të “Fiks Fare” që të dëgjohet zëri i tyre dhe të ndërtohet kjo urë.

Pas interesimit të emisionit “Fiks Fare” ka reaguar edhe Bashkia e Kurbinit. Sipas zëdhënësit Bektesh Zeneli, kjo urë është ndërtuar në kohë fushate dhe si e tillë, punimet janë bërë sa për të kaluar radhën.

“Kjo urë është urë fushate, e ndërtuar në kohë fushate dhe normal që nuk do kishte rikonstruksionin e duhur. Është bërë sa për të kaluar fushatën”, pohon ai.

Zeneli shprehet më tej se bashkia është në dijeni për ankesat, por aktualisht kanë pasur parësore rastet më emergjente. Sipas tij, Bashkia do ta ketë në konsideratë dhe në momentin që do të ketë fonde do të ndërtojnë një urë të vërtetë.

“Për këtë kemi kërkuar edhe ndihmën e biznesit vendas, në mënyrë që ura që do të ndërtohet të jetë e parametrave të duhura”, përfundon zëdhënësi i Bashkisë Kurbin.

Ndërkohë, 700 banorë në fshatin Baz të Burrelit janë izoluar totalisht nga pjesa tjetër e qytetit. Prej 4 muajsh, ura “Rrethe Baz” ka dalë jashtë funksionit, duke sjellë një rrezikshmëri të lartë për banorët.

Sipas tyre, çdo ditë ka rast që persona të ndryshëm rrezikojnë jetën. Banorët shprehen se janë detyruar të transferojnë fëmijët e tyre në një shkollë tjetër larg shtëpisë, duke u konvertuar në një kosto të lartë, edhe pse mundësitë janë të pakta.

Njëri prej banorëve tregon se dëmi i shkaktuar nga kjo urë nuk është vetëm ndarja nga pjesa tjetër e familjarëve, por ka sjellë dëme edhe mbi bagëtitë. Duke mos pasur mundësi të kalojnë në anën tjetër të urës, banorët nuk sigurojnë dot as ushqimin për kafshët. Në raste sëmundjeje ose vdekjeje, banorët duhet të bëjnë 25 kilometra për t’i rënë nga njëra këmbë e urës për të arritur te këmba tjetër, në një kohë që gjatësia e urës është vetëm 150 metra.

Për ankesat e banorëve ka reaguar edhe nënkryetarja e Bashkisë Mat, Anjeza Shema, e cila shprehet se janë në dijeni të këtij problemi. Sipas saj, kjo urë është shembur për shkak të motit të keq në nëntor të vitit 2016 dhe nuk ka qenë e parashikuar. Në preventivin e Bashkisë për vitin 2016-2017 kanë qenë ndërtimet e urave lidhëse në fshatra që nuk kanë pasur kurrë ura. Në buxhetin që bashkia do të ketë në vijim, ura “Rrethe Baz” do të jetë parësore për ta bërë atë funksionale për banorët.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel