Gjirokastër, drejt shembjes shtëpia 200-vjeçare

20/03/2017 12:15

Një banesë 200-vjeçare në Gjirokastër rrezikon të shembet. Shtëpia monument kulture e familjes Dudumi po shkakton frikë jo vetëm te banorët e lagjes “11 Janari”, por dhe te kalimtarët.

Mane Dudumi tregon se i ati e bleu banesën rreth viteve ‘50 dhe rriti në këtë shtëpi 10 fëmijë, të cilët u larguan njëri pas tjetrit, ndërsa ai vetë e braktisi banesën rreth 2 vjet më parë, pasi pjesë të çatisë filluan të binin. 

Ai ka ndërtuar një dhomë në oborrin e shtëpisë monumentale për t’i shpëtuar rrezikut. 

“Kërkoj të merren masa për mosrënien e mureve dhe të çatisë. Rrezikohemi ne dhe kalimtarët. Kam bërë kërkesë në bashki, prefekturë dhe polici”, shprehet Mane Dudumi, pronari i shtëpisë.

Shtëpia me një sipërfaqe rreth 120m² është vizituar disa herë prej ekipeve të ekspertëve dhe përfaqësuesve të autoriteteve lokale, por ende nuk ka ndonjë masë për shmangien e rrezikut për kalimtarët dhe banorët.

Top Channel