Kushtetuesja për Aldo Baren: Nuk preket dënimin me burg përjetë

08/03/2017 00:00

Gjykata Kushtetuese ka reaguar ditën e sotme për çështjen e anulimit të dënimit të përjetshëm për Aldo Baren, duke sqaruar se është vendosur pranimi pjesërisht i kërkesës dhe dërgimin e saj për rishqyrtim nga Gjykata e Lartë.

“Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të vendimit nr.00-2015-2087, datë 02.07.2015, të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë”, thuhet në deklaratë sqaruese të vendimit.

Gjykata Kushtetuese bën të ditur se aktualisht, çështja ndodhet në fazën procedurale të shpalljes të vendimit, konform parashikimeve të ligjit procedural dhe në përputhje me afatin ligjor, dhe menjëherë pas shpalljes vendimi do të jetë në dispozicion të palëve në proces dhe publikut.
 
“Për sa më sipër, sqarojmë se Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë dhe e ka dërguar çështjen për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë. Vendimi i saj nuk ka cenuar vendimmarrjen e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe të Apelit për Krimet e Rënda, nga ku rezulton se kërkuesi është dënuar me burgim të përjetshëm”, thuhet në deklaratë.

I dënuari me burgim të përjetshëm për ngjarje të ndryshme në zonën e Lushnjes, u kap në Turqi, ku qëndronte i fshehur, ndërsa në Shqipëri gjykatat e kishin dënuar atë. Pas një seri vendimesh, burgimi i përjetshëm për të qëndroi në fuqi. Por, me avokatët e tij i dënuari vazhdoi betejën në Gjykatën Kushtetuese.

Top Channel