Arta Dade: Në Parlament ka deputetë që thyejnë çdo etikë

08/03/2017 00:00

Deputetja e Partisë Socialiste, Arta Dade, tregoi gjatë një interviste në studion e “Pasdite në Top Channel” se në një takim me personalitete të huaja, kishte refuzuar t’i jepte dorën ish-kryeministrit Berisha.

Duke folur për herë të parë në lidhje me sulmet e Berishës ndaj saj, në Ditën Ndërkombëtare të gruas, Dade tha: Fëmijët e mi janë mësuar me sulmet e tij. Dhe këto sulme m’i kanë bërë djemtë më të pjekur, më të përgjegjshëm”.

Zonja Dade foli edhe për lakimin e emrit të saj për Presidente. “Do të isha e pavërtetë nëse do thosha jo. Një grua mund ta bënte shumë mire. Karriera ime politike nuk ka qenë ngjitje me ashensor, por nga shkallët. Mund të jap përvojën time”.

Deputetja e PS-së tha se kishte kritikuar edhe kryeministrin Rama në rastet kur ai kishte sulmuar gratë e politikës.

“Kam kritikuar jashtëzakonisht Ramën kur tejkaloi kufijtë me Mimoza Hafizin dhe shumë kohë nuk shkova ne mbledhjet e grupit”.

Në lidhje me marrëdhëniet me kolegët e tjerë, Dade u ndal tek deputeti Gramoz Ruçi. “Gramozi nuk më ngarkonte me detyra, sepse e shikonte në aspektin që gratë nuk mund të punojnë sa burrat, edhe pse ai ka qenë ndër mbështetësit e mi më të mëdhenj”.

E pyetur nëse pamja e jashtme e saj e ka penguar ose ndihmuar, ajo u shpreh: “Ende fyhem kur tipari i parë që thonë për mua është bukuria. Nuk thonë për shembull që punoj me përkushtim dhe s’mund të them që i kam bërë gjërat pa mençuri. Më ka ndihmuar pamja e jashtme, por e pashoqëruar me cilësi te tjera, nuk vlen. Ne nuk jemi kukulla ose modele”. Deputetja Dade u ndal tek pasionet e saj, familja dhe jeta e mbushur mes nipërve dhe mbesave.

Top Channel