Yahoo është kompania e fundit teknologjike që ka premtuar se do të njoftojë përdoruesit e saj nëse mendon se llogaritë e tyre janë bërë pre e ndonjë sulmi nga “aktorë të sponsorizuar nga shtetet” apo hakerë që punojnë për qeveritë.

“Yahoo do t’ju njoftojë nëse kemi dyshime të forta se llogaria juaj është bërë cak i ndonjë sulmi nga aktorë të sponsorizuar nga shtetet”, shkruan Bob Lord, shef i sigurisë në Yahoo në një postim në blogun e kompanisë.

Pasi Yahoo t’ju vejë në dijeni se mund të jeni sulmuar, do t’ju kërkojë që të verifikoni llogarinë tuaj në dy hapa, të ndryshoni fjalëkalimin duke ju sugjeruar që të jetë më i fortë apo edhe të përditësoni të dhënat tuaja.

Kjo lëvizje e Yahoo-s vjen vetëm dy muaj pas Facebook e cila njoftoi për marrjen e masave të njëjta në rast se ka dyshime për sulm ndaj llogarive të përdoruesve, ndërsa Google këtë gjë e ka nga qershori i vitit 2012.

Top Channel