Facebook do të nisë të zbatojë së shpejti atë që ekspertët e privatësisë i druheshin prej kohësh; përdorimin e gjithçkaje që di për ne për qëllime publicitare.

Pra, nëse vizitojmë shpesh faqe sportive në rrjetin social do të nisin të na shfaqen gjithnjë e më shumë spote apo publicitete që lidhen me këtë fushë, si bileta në shitje, evenimente, rroba dhe gjithçka tjetër që lidhet me sportin.

Për publikun e gjerë, ka një lajm tjetër brenda këtij lajmi. Pak janë në dijeni se Facebook është në gjendje që të mësojë se çfarë faqesh vizitojmë, mjafton që në ato faqe të ketë një buton “Shpërndaje” (Share, që sot pjesa më e madhe e kanë) edhe nëse nuk e ke hapur fare rrjetin social.

Në fakt, kompania e Zuckerberg mbledh prej kohësh të dhëna mbi lundrimin në internet të përdoruesve, por deri më tani kishte refuzuar përdorimin e këtyre të dhënave për të personalizuar publicitetin.

Kjo deri më tani, sepse zyrtarisht, Facebook ka dhënë bekimin për përdorimin e tyre në përmasa të pamenduara ndonjëherë; një bazë të dhënash me gjithçka “jemi” në Facebook dhe në thuajse gjithë faqet e tjera të internetit.

Për ata që nuk dëshirojnë që t’u shfaqet publiciteti i personalizuar, është e mundur shmangia falë një opsioni të shtuar në sektorin e privatësisë, ku i thuhet Facebook që të mos përdorë të dhënat e tua të grumbulluara nga faqet e tjera.

Po vetëm “të mos përdorë” ama, sepse krijesa e Mark Zuckerberg do të vazhdojë të grumbullojë këto të dhëna, por ato do të ruhen në serverat e kompanisë në pritje për t’u përdorur. Pikërisht, grumbullimi i këtyre të dhënave është pika më e fortë ku mbështetën kundërshtarët e kësaj nisme të Facebook.

Top Channel