Kaçaniku nderon Nënë Terezën, Veseli: Shqiptarët, të bashkuar e pa dasi fetare

04/09/2015 15:30

Komuna e Kaçanikut, nga ku janë larguar më së shumti qytetarë drejt Sirisë dhe ku në disa raste elementë ekstremistë kanë përdhosur figurat kombëtare, ka organizuar të premten një ngjarje pikërisht në nder të figurës së humanistes së njohur shqiptare, Nënë Tereza.

Nën organizimin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në Pallatin e Kulturës të Kaçanikut janë mbledhur përfaqësues të Bashkësisë Islame, përfaqësues të Kishës Katolike dhe shumë qytetarë, për të nderuar figurën e Nënë Terezës.

Me këtë rast, kryeparlamentari Veseli tha se, në këtë kohë të trazuar e me shumë luftëra e refugjatë, Kaçaniku është vendi i duhur për të nderuar Nënë Terezën, e cila kontribuoi gjithmonë për paqen dhe tolerancën fetare.

“Këto ditë ne kremtojmë ditët e Nënë Terezës, bijës sonë të madhe, flamurtares së madhe të humanizmit dhe solidaritetit njerëzor, simbolit universal të bamirësisë. E zgjodhëm Kaçanikun, që t’i bëjmë nderime kësaj figure të madhe të kombit tonë dhe të njerëzimit, sepse Nënë Tereza, ajo vasha e dikurshme e ndrojtur, Gonxhe Bojaxhiu ishte bijë e këtyre trevave: Kaçanikut, Shkupit, Prizrenit. Ishte bijë e traditave të fuqishme të tolerancës fetare dhe solidaritetit, që janë të rrënjosura në kulturën dhe shpirtin tonë. Sot, kur rrugët e Ballkanit janë të mbushura me refugjatë, të ikur nga terrori i luftës në Siri, ne duhet që këtë frymëzim ta kthejmë në vepra konkrete, duke ndihmuar kudo që mundemi, që dhimbjet e këtyre refugjatëve të pakësohen”, tha Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Për Nënë Terezën, në këtë ceremoni folën edhe përfaqësues të komuniteteve fetare dhe të organizatave humanitare.

“Duhet të ndihemi të gjithë krenarë, që bota e njeh atë jo thjesht si individ, por si shqiptare, e cila është brumosur në familjen shqiptare, mes sakrificave, mundimeve e sprovave. Që edhe ne të mund t’i kapërcejmë sfidat që na sjell jeta secili si individ, por edhe si komunë, si shtet, si Kosovë”, tha Don Viktor Sopi, përfaqësues i “Caritas”-it në Kosovë.

“E tillë ishte e madhja Nënë Terezë, e cila – edhe njëherë e theksoj, – është krenaria jonë, që pavarësisht të qenit një komb i vogël, i përvuajtur dhe i ndarë, prapë i dhuruam shumë njerëzimit, një humaniste të madhe të përmasave botërore, që tanimë është kthyer në simbol të humanizmit, paqes, tolerancës dhe dashurisë”, tha Naim Tërnava, myfti i Kosovës.

Për nder të 105-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës, aktivitetet e organizuara nga kryeparlamentari Veseli kulmojnë të shtunën, ku në Katedralen e Prishtinës që mban emrin e humanistes shqiptare do të organizohet një koncert me vepra muzikore të kompozitorëve të njohur shqiptarë dhe botërorë, ndërsa aktorë të shquar shqiptarë do të recitojnë vargje kushtuar jetës dhe veprës së Nënë Terezës. Koncerti përmbyllet me Himnin kushtuar Nënë Terezës, interpretuar nga Inva Mula.

Top Channel