Londra kufizon shpejtësinë e autobusëve

27/06/2015 00:00

Një teknologji që kufizon shpejtësinë e autobusëve në rrugë të ndryshme do të testohet në Londër, me qëllim rritjen e sigurisë në rrugë. Quhet Intelligent Speed Application (ISA) dhe përdor teknologjinë GPS të instaluar në autobusë.

Teknologjia gjurmon vendndodhjen e mjetit në një hartë dixhitale që tregon dhe limitin e shpejtësisë në rrugën ku po kalon mjeti. Më pas detyron mekanizmin e makinës të ecë me shpejtësinë e lejuar.

Në Londër, më shumë se 1800 persona janë vrarë apo plagosur rëndë në pesë vitet e fundit nga autobusët.

Departamenti i Transportit në Londër thotë se, ISA do të vendoset në 47 autobusët e kryeqytetit në muajt e ardhshëm.

Ky sistem, – thekson Departamenti, – do t’u mundësojë shoferëve të fokusohen në rrugë dhe jo të shohin taksimetrin e shpejtësisë.

Departamenti i Transportit të Londrës testoi në vitin 2009 një tjetër teknologji për kufizimin e shpejtësisë për autobusët. Por nuk vazhdoi me atë projekt, pasi sistemi mund të manipulohej. Ndërsa ky version i fundit është i lidhur direkt me motorin e makinës dhe është automatik.

Top Channel