Vulin në Rahovec: Kjo që ndodh në Kosovë me serbët, si në Siri prej IS

07/01/2015 00:00

Qeveria e Serbisë dërgoi sërish provokime politike në Kosovë, përmes ministrit të saj për Punë dhe Çështje Sociale, Aleksandër Vulin, i cili me rastin e Krishtlindjes Ortodokse vizitoi manastirin e Zaçishtës në qytetin e Rahovecit, në Kosovë.

Duke marrë shkas nga pengimi që u është bërë disa pelegrinëve serbë, që nuk janë lejuar të hyjnë në Gjakovë për të kremtuar Krishtlindjen në kishën ortodokse serbe, ministri i Qeverisë serbe e krahasoi Kosovën me Sirinë.

“Sot është një natë e madhe, kjo është një festë paqësore. Por, serbët nuk po mundin të hyjnë në Gjakovë për t’i kryer lutjet e tyre në kishat e tyre. Kjo ndodh vetëm në dy vende: në Siri, për shkak të Shtetit Islamik, dhe në Kosovë. Personalisht nuk mund të kuptoj pse serbëve nuk iu lejohet të hyjnë në Gjakovë, prej tre vitesh me radhë. Kjo duhet të jetë e drejta e tyre e barabartë. Kjo që ndodhi sot në Gjakovë, nuk do të ndihmojë aspak në bisedimet mes dy vendeve, vetëm do t’i vështirësojë ato”, tha Aleksandër Vulin.

Reagim të njëjtë me Vulin kishte edhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Aleksandër Jablanoviç, i qeverisë së Kosovës. Madje, gjatë deklaratës para medieve, teksa ishte në krahun e ministrit serb, ai i referohej Kosovës si “Kosova dhe Metohija”.

“Nuk po u lejohet serbëve të hyjnë në Gjakovë, vetëm për të kryer disa lutje për nder të festës së tyre më të madhe fetare. Mënyra e egër e sjelljes së njerëzve, që sot ua prishën festën atyre që kanë ardhur për këtë festë të madhe, nuk është e dobishme për askënd. Do të kërkojmë menjëherë nga kryeministri, duke nisur nga nesër, më shumë të drejta”, tha Aleksandër Jablanoviç.

Pas deklarimeve para medieve, dy ministrat serbë, njëri i Kosovës e tjetri i Serbisë, qëndruan në ambientet e manastirit në Zaçishtë të Rahovecit, bashkë me disa serbë lokalë.

Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, ka fajësuar ministrin serb të Qeverisë së Serbisë, Aleksandër Vulin, për mos lejimin e serbëve që të hyjnë në Gjakovë.

Kusari-Lila ka thënë për Top Channel, përmes telefonit, se serbët po keqpërdorin vizitat fetare për të bërë provokime politike, në qytete ku ende vazhdojnë të jenë të zhdukur qindra shqiptarë nga lufta e fundit.

Top Channel