PD: Veliaj, i zhytur në skandale

13/09/2014 00:00

Akuzat për ministrin Veliaj kanë vijuar edhe nga selia e PD-së, nga ku koordinatorja për mediat, Silvi Bardhi, ka reaguar pas fakteve të reja, siç i konsideron ajo, të korrupsionit me dasmën e ministrit të Mirëqenies Sociale.

“Me dasmën e dhjetra shkeljeve e abuzimeve, ministri i Edi Ramës i tregoi publikut dhe qytetarëve, se jeta private, qejfet, pasurimi i shpejtë dhe luksi janë prioritet. Media ka paraqitur fakte skandaloze. Erion Veliaj ka shkelur Ligjin për Trashëgiminë Kulturore. Kundër ligjit janë përgatitjet për skenën e dasmës, në Kalanë që është një monument i kategorisë së parë dhe mbrohet nga UNESCO, por që u vu në dispozicion të dasmës qeveritare. Eshtë abuzim i pastër dhe skemë mashtrimi, që Geraldina Spoza, një shoqëri dasmash, ia faturon Bashkisë Gjirokastër këtë zijafet, si aktivitet kulturor”, është shprehur Bardhi.

Duke vijuar me akuzën për konflikt interesi, ajo është shprehur se “Në kundërshtim të hapur me ligjin për konfliktin e interesit, në kushte korrupsioni, kompania e vajzës së deputetit Dashamir Peza, përfituese e fondeve publike për fushatat publicitare të Ministrisë së drejtuar nga Veliaj, ka organizuar edhe dasmën e tij të dytë në shtëpinë e saj në Pezë. Abuzim dhe korrupsion ka kjo dasëm nga fillimi deri në fund”.

Bardhi ka kërkuar një reagim nga Veliaj, që sipas saj vetëm hesht, duke mos dhënë asnjë shpjegim për korrupsionin e veshur me vello e papijon. “Përpjekja e tij për të censuruar median, e për të shantazhuar të rinjtë protestues me anë të policisë partiake, janë  qershia mbi këtë tortë të madhe abuzimi, shpërdorimi, luksi e neverie publike. Erion Veliaj duhet të japë dorëheqjen, ose Edi Rama duhet ta shkarkojë dhe të tregojë që nuk mashtroi sërish, kur tha se ministrat do të largohen kur përfshihen në skandale”, ka mbyllur deklaratën për shtyp, Silvi Bardhi.

Top Channel