Berisha: Arrestimi i Fullanit, stalinizem

12/09/2014 00:00

“Arrestimi i guvernatorit Fullani është një akt Stalinist, i një shteti policor, të cilin e dënoj me ashpërsinë më të madhe”. Me këtë përkufizim Sali Berisha theu heshtjen e tij dhe të Partisë Demokratike për cështjen Fullani, pas arrestimit të tij një javë më parë.

Për të arritur në këtë deklaratë, një nga më të fortat e ish-kryeministrit pas daljes në opozitë, Sali Berisha është mbështetur në disa rrethana dhe fakte, që sipas tij duhet t’i ketë parasysh cdo qytetar që nuk ndan të njëjtin mendim.

“Atyre që mund të më qortojnë u them përpara mendoni pak, si do t’ju dukej ju të arrestoheshit pa u pyetur qoftë dhe një minutë se si e keni emrin, ju apo familjarët tuaj? Kjo s’mund të ndodh kurrë në një vend të lirë. Kjo ndodh vetëm në në shtete policeske”, deklaroi Berisha.

Fakti tjetër, sipas ish-kryeministrit, është‎ se drejtori i sigurisë në Bankën e Shqipërisë, përgjegjës direkt për cdo gjë që lidhet me sigurinë e bankës, është pyetur nga prokuroria vetëm pas arrestimit të guvernatorit dhe as nuk ka gjasa të merret i pandehur.

Por megjithëse e kursen deri diku prokurorin e përgjithshëm, ish-kryeministri nuk kursen kreun e qeverisë Edi Rama, për të cilin ka një akuzë direkte.

“Kam kërkuar dhe vazhdoj të kërkoj hetimin më të plotë e më të gjithanshëm, të të gjithë atyre që janë në Bankë, të lidhur ose të palidhur me këtë akt të shëmtuar që është vjedhja në kasafortën më sekrete të shtetit, por nuk mund të pranojë kurrë një veprim policesk të tipit Stalinist në një vend të lirë. Të arrestosh guvernatorin për mllefe politike, sepse këto i ke përshkruar te “Kurbani”, të arrestosh se gjete faktin që e shoqja e tij të ka bërë gjyqin kur mohoje djalin dhe të ka detyruar të pranosh djalin tënd, do të thotë se je më i lig se cdo ligësi tjetër”, u shpreh Berisha.

Ish-kryeministri kujdeset të mos identifikojë Partinë Demokratike me qëndrimin e tij. “Këto janë qëndrimet e mia, natyrisht këto nuk pasqyrojnë qëndrimin e PD”, shtoi Berisha.

Në fakt, kryetari Lulzim Basha ndryshoi vetëm formën e reagimit, por jo përmbajtjen. “Vepra të tilla, të stisura vetëm për konsum mediatik dhe në kundërshtim me garancitë kushtetuese dhe të Kodit Penal për cdo qytetar shqiptar, sic është dhe Fullani, nuk mund të ndodhin pa një shtytje të fuqishme politike, në përputhje me orekset e Edi Ramës dhe oligarkisë së tij për të kapur Bankën e Shqipërisë, sic ka kapur dhe po përpiqet të kapë organe të tjera të pavarura, për të shfryrë mllefin e tij, pasi kur Fullani u zgjodh për mandatin e dytë tha se do ta shkarkonte atë”, u shpreh Basha.

Top Channel