Manjani: Projekt te ri per banken

11/09/2014 00:00

Nënkryetari i LSI-së, Ylli Manjani, në një intervistë për Top-Channel, thotë se nuk është blasfemi të kemi një guvernator të huaj në krye të Bankës së Shqipërisë, duke e argumentuar këtë me historinë, që ka shoqëruar guvernatorët në të shkuarën.

“Që nga viti ‘25 që njihet si origjina e BSH, të gjithë drejtuesit e bankës, guvernatorët apo drejtorët, në varësi të viteve se kur kanë shërbyer, kanë patur problem serioze me ligjin e drejtësinë. Fakt është që vetëm Qirjako, Mihajli dhe zoti Shkëlqim Cani kanë mbyllur një mandat në drejtimin e BSH pa pasur probleme me drejtësinë. Të gjithë të tjerët, ose kanë pasur probleme me drejtësinë dhe janë futur në burg, ose janë në arrati, që do të thotë se ne me këtë institucion kemi një problem besueshmërie ndër vite. Një problem që nuk vjen për shkak të mungesës së profesionalizmit të njerëzve, por thjesht çështje besueshmërie”, tha Manjani.

Më shumë se sa emri i guvernatorit të ri, Manjani thotë se ka rëndësi nisja e një projekti të ri.

“Ka ardhur koha që jo të eksperimentojmë, por të provojmë një projekt, i cili nuk ka të bëjë shumë me emrin e një guvernatori të ri, por do kishte të bënte me një projekt për eurofikimin e ekonomisë shqiptare. Është ideja e një binjakëzimi, më shumë se sa emri i huaj, me një bankë europiane. Është ideja e ndërtimit të një projekti nën supervizimin, po të kemi mundësi, edhe të Bankës Europiane për këtë çështje. Kështu që nuk duhet ta shohim si një emër i ri, por një projekt që herët apo vonë në Shqipëri do të fillojë”, tha Manjani.

Sipas numrit dy të LSI-së është i pashmangshëm ndryshimi i ligjit për Bankën e Shqipërisë. Manjani thekson se çështja e zëvendësimit të guvernatorit nuk duhet të kthehet në një betejë për të bërë koncesione të brendshme politike për interesat e ditës.

Top Channel