Gjosha shpjegon Keshillin e Integrimit

11/09/2014 00:00

Për ministren e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, Këshilli Kombëtar i Integrimit merr një peshë të rëndësishme dhe thelbësore sidomos pas hapjes së negociatave.

Gjatë një interviste për Top-Channel, ministria Gjosha thotë se kishte pritshmëri të tjera prej kryetares së Komisionit Parlamentar të Integrimit, Majlinda Bregu.

“Ky Këshill duhet të jetë modeli i gjithpërfshirjes dhe  i bashkëpunimit të të gjithë aktorëve. Ky organ do të jetë struktura më e lartë këshilluese e procesit të integrimit, në mënyrë që rruga dhe hapat që do të ndiqen për ta çuar këtë proces përpara  të jenë  sa më solide. Ai do të ketë për qëllim të çojë vendin përpara në arritjen e reformave madhore të cilat janë të nevojshme për t’u afruar me BE-në. Ky objektiv është në përputhje me konsensusin politik për nevojën e integrimit në BE, mbështetjen e publikut për anëtarësimin e vendit në BE, si edhe politikat e qeverisë shqiptare në përputhje me rekomandimet e raporteve të Komisionit Evropian”, deklaroi ministrja Gjosha.

Ndërkohë që nga opozita ky draft është cilësuar si i paqartë, ministria Klajda Gjosha shpjegon se kush i drejton këto këshilla në vëndet e rajonit duke theksuar se modeli i paraqitur nuk është i  kopjuar, por është i përshtatur: “Modeli i propozuar nga qeveria është i mirëmenduar dhe i përshtatet sidomos momentit në të cilin ndodhet vendi në procesin e integrimit. Ky model i propozuar dëshmon pjekuri politike dhe ofron nxitje për të rritur nivelin e dialogut politik mes maxhorancës dhe opozitës. Të gjitha vendet  të cilat kanë ngritur këtë Këshill e kanë bërë duke iu përshtatur rrethanave, fazës së procesit të integrimit në të cilin ndodhet ky vend apo situatës politike. Pra, nuk ka model të kopjuar, por ka model të përshtatur dhe nëse në Kroaci Këshillin e drejton opozita, në Kosovë e drejton Presidenti, në Serbi e drejton Kryeministri. Pra, nuk ka një model standard që është zbatuar.”
 
Ky është komenti ministres së Integrimit për deklaratën e Kryetares së Komisionit të Integrimit Evropian, znj. Majlinda Bregu e cila kërkon që Këshilli të drejtohet nga opozita.

“Kam ndjekur me vëmendje deklaratat e ditëve të fundit në lidhje me ngritjen e këtij Këshilli. Do preferoja një përgjigje zyrtare nga drejtuesja e Komisionit të Integrimit Evropian, pasi të ishte mbledhur ky Komision dhe të ishte konsultuar me anëtarët e tjerë, drafti i propozuar  nga qeveria. Sepse në procesin e integrimit nuk është parësore kush e drejton Këshillin, por procedurat që ndiqen për krijimin dhe funksionimin e tij. Ky organ po krijohet për t’i shërbyer procesit të integrimit dhe është i vetmi Këshill që nuk mund të ketë përjashtime. Ky Këshill nuk mund të cilësohet thjesht si një strukturë qeveritare apo parlamentare sepse në momentin kur do të hapen negociatat të gjithë aktorët duhet të jenë pjesë e Këshillit me gjithë angazhimin e tyre duke bërë më të mirën e mundshme për të vendosur procesin e integrimit mbi çdo interes tjetër. Fakti se qeveria ka ofruar një draft ku propozon drejtimin e Këshillit nga kryetaret e dy strukturave parlamentare mjaft të rëndësishme në optikën time vlen për t’u përgëzuar së pari sepse janë propozuar dy zonja për ta bashkëdrejtuar dhe së dyti sepse Komisionet që ato drejtojnë janë kyçe në rolin që kanë për mbarëvajtjen e procesit të integrimit Evropian”, thotë ministrja e Integrimit.
 
Nëse opozita nuk pranon të marrë pjesë në Këshill, a do të  ngrihet dhe funksionojë ky Këshill?

Sigurisht që Këshilli do të ngrihet. Opozita duhet të jetë pjesë e tij pasi vetëm kështu jep kontributin e saj për procesin e integrimit evropian. Ky proces, siç e thashë më sipër, duhet të jetë prioritet i gjithë forcave poltike, i pandikuar nga interesa partiake. Ne duam të ngremë një organ transparent që t’i shërbejë avancimit të vendit drejt BE-së. Jo më kot zgjodhëm këtë nivel përfaqësimi, këtë formë drejtimi.  

Top Channel