Braktiset unaza e veri-lindjes

13/08/2014 00:00

Prej më shumë se një viti, punimet për sistemimin dhe asfaltimin e rrugës nacionale prej 34 kilometrash nga ura Cerenec-Librazhd janë bllokuar.

Burimet zyrtare sqarojnë se mungesa e financimeve është aryesja kryesore e pezullimit të punimeve në unazën e veri-lindjes së vendit.

Drejtuesit e automjeteve tregojnë vështirësitë që duhet të kalojnë për të përshkuar këtë rrugë, e cila është tërësisht e dëmtuar nga ujërat që rrjedhin por edhe mungesa e kanaleve.

“Kam ardhur nga Italia të takoj njerëzit, më rra rruga këtej por po ta kisha ditur nuk kisha për të kaluar”, thotë një prej tyre.

“Është rrugë për mushkat, por vetëm për makinë jo. Se ku shkojnë ato para, një Zot e di”, shprehet një tjetër.

Nisja e punimeve për sistemin e kësaj rruge ka sjellë dëme ekonomike për banorët e fshatit Cerenec, të cilët nuk janë dëmshpërblyer për banesat e dëmtuara.

“Punimet na i kanë lënë përgjysmë, këtu më shumë është shkatërruar sesa është rregulluar. Firma nuk përgjigjet. Unë kam merak për jetën e fëmijëve të mi”, ankohet një prej tyre.

E ndërsa ende nuk dihet se kur do të rifillojnë punimet, banorët kërkojnë që të merren masa sa më të shpejta për përmirësmin e gjendjes në rrugë.

Top Channel