Si vrau gruan me tortura 45-vjeçari nga Berati

06/08/2014 00:00

E goditi me thikë në kokë, e rrahu, e torturoi gjithë natën dhe më pas i ka lidhur këmbët e duart. I ka futur një shkop në gojë dhe e ka detyruar të pijë fostoksinën. Kështu mendohet se ka vepruar një 45-vjeçar në Berat, i cili ka vrarë gruan e tij 42-vjeçare dhe ka tentuar ta fshehë krimin si vetëvrasje.

Sipas gazetës ‘Shqip’, viktima ka arritur të rrëfehet te motra e saj, e cila i qëndroi pranë në spital para se të ndërronte jetë. Për këtë krim monstruoz në familje, burimet policore lokale bënë të ditur se një 42-vjeçare është masakruar me mjete të forta nga bashkëshorti i saj. Sipas të dhënave nga policia lokale, Mimoza Zeqo është rrahur barbarisht nga i shoqi, Tomor Zeqo, 45 vjeç. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në banesën e çiftit në Urën Vajgurore, ndërsa gruaja ka humbur jetën në spital. Sipas rezultateve të autopsisë, në trupin e gruas është konstatuar prani e fostoksinës, të cilën dyshohet se 42-vjeçarja e ka konsumuar nën kërcënimin e të shoqit. Pak minuta para se të ndërronte jetë në spital, 42-vjeçarja deklaroi se fostoksinën ia kishte dhënë bashkëshorti me forcë. Momentalisht nuk dihet ende nëse ka qenë fostoksina apo dhuna barbare ajo që i ka marrë jetën nënës së dy fëmijëve. Mbeten ende të paqarta shkaqet e ngjarjes, ndërsa policia po punon për të zbardhur krimin makabër. Efektivët e policisë kanë mundur të arrestojnë autorin e krimit, i cili fillimisht ka tentuar ta fshehë krimin si vetëvrasje. Mësohet se 45-vjeçari Tomor Zeqo rezulton person me precedentë penalë, pasi tre vite më parë është dënuar për tentativë vrasjeje. Në fakt, ai ka tentuar të vrasë vëllain e tij, pas një konflikti që ka pasur me të, duke i hedhur një sasi dinamiti në shtëpi. Për këtë ngjarje Tomor Zeqo kreu dy vite burg.

E motra e viktimës

“Më ka goditur me thikë në kokë, më ka rrahur me shqelma, më ka torturuar gjithë natën dhe më pas më ka lidhur këmbë e duar me skoç. Aty, ai ka marrë një shkop dhe ma ka futur në gojë, duke më hedhur fostoksinë, të cilën e kishte në një gotë. Ky është rrëfimi rrëqethës që Mimoza i bëri motrës së saj, Rudinës. Kjo e fundit tregon se biseda është zhvilluar në spital, pak çaste para se motra e saj të ndërronte jetë. Rudina Xhafa qan, bërtet, por motrën nuk e rikthen dot më në jetë. “Bisedova me motrën para se të vdiste. Në spital më tregoi çfarë torturash i bëri i shoqi”, shton Rudina duke qarë me zë. E motra tregon se Mimoza i la një amanet. “Më la amanet fëmijët. Ka dy fëmijë. Më la me gojë, të kujdesem si një nënë për ta. Por, a do t’ia falin ata babait këtë që i bëri nënës”, shprehet Rudina Xhafa.

Fqinjët e çiftit

Fqinjët e familjes Zeqo tregojnë se Tomori konsumonte vazhdimisht alkool dhe ushtronte dhunë ndaj gruas së tij, por ajo nuk kishte bërë asnjëherë denoncim. Edhe mbrëmjen që ndodhi ngjarja, ai kishte qenë nën efektin e alkoolit. Sipas fqinjëve, Mimoza ishte e vetmja që punonte në familje, për të siguruar bukën për fëmijët. Madje, ata tregojnë se Tomori kishte përgatitur gjithçka para se të kryente krimin, pasi fëmijët i kishte dërguar te prindërit e tij, me qëllim që ai të realizonte planin e tij monstruoz.

Top Channel