Reforma territoriale drejt fundit

15/07/2014 00:00

Nga 385 njësi vendore që ka vendi, 225 kryetarë bashkish dhe komunash kanë kthyer përgjigje për mendimin që u është kërkuar  për propozimet mbi reformën territoriale. 94 drejtues të pushtetit vendor janë pro variantit paraprak të komisionit që vendi të ketë nga 39 deri në 47 bashki.

131 kryebashkiakë dhe kryekomunarë janë shprehur kundër këtij varianti. Ata janë pro për më shumë njësi të pushtetit vendor, duke përkrahur variantet nga 57 deri në 63 bashki.
 
Më pak të interesuar janë treguar këshillat bashkiakë dhe komunarë. Vetëm 108 të tilla kanë kthyer përgjigje, nga të cilat 48 janë pro variantit të komisionit, 60 janë kundër këtij propozimi duke kërkuar më shumë se 39 njësi vendore.

Në total, 70% e njësive vendore kanë kthyer përgjigje për mendimin që iu është kërkuar për reformën territoriale, në këtë përqindje hyjnë edhe drejtues apo këshilla të djathtë vendorë. Por, pas aktivitetit ku ishin të pranishëm përfaqësuesit e majtë të komisionit të reformës territoriale, Fino e Vasili, si dhe kryetari demokrat Basha, drejtuesit e djathtë tha bashkëkryetari socialist i këtij komisioni, me urdhër politik kanë ndërprerë kthimin e përgjigjeve, madje edhe disa që kanë qenë pozitiv në përgjigjen ndaj komisionit, kanë riparë qëndrimin e tyre duke kthyer një përgjigje të dytë negative.

Nga mbledhja e radhës së komisionit, ku sërish PDIU në opozitë që po shfaq shenja bashkëpunimi me mazhorancën për reformën territoriale duke i paraqitur kërkesat e saj përmes zëdhënësit, kryetari Fino edhe një herë apeloi për miratim të saj me të gjithë spektrin opozitar: “Na intereson jo vetëm PDIU-ja, por edhe PD-ja. Kemi qenë të hapur për kolegët tanë sepse është një reformë për 20-30 vjet. Nuk është një reformë e një partie të vetme.”

PDIU-ja do të marrë vendimin për të qenë prezent në miratimin e reformës, varësisht nga vendimmarrja e komisionit, tha zëdhënësi i kësaj force politike. Kërkesat e PDIU-së janë disa ndryshime në jug të vendit për disa fshatra që kjo forcë politike është kundër mënyrës sesi janë parashikuar në variantin paraprak të ndarjes, por nuk është kundër krijimit të njësive minoritare.

Deri në mesin e javës që vjen do të përpunohen kërkesat e PDIU-së dhe vendorëve për reformën. Varianti do t’i kalojë qeverisë për miratim dhe më pas projektligji i reformës territoriale do të rikthehet në Kuvend për miratimin e variantit përfundimtar. Nga varianti paraprak tek ai final, mazhoranca është treguar e hapur për sugjerime dhe ndryshime, por ajo që mbetet e pandryshuar është koha e miratimit të reformës.

“Në datë 31 korrik do të diskutohet dhe miratohet projektligji në fjalë”, theksoi Fino.

Top Channel