“30% rritje e eksporteve të bujqësisë”

11/07/2014 00:00

Kryeministri Edi Rama tha se qasja e re e qeverisë ndaj bujqësisë po jep shenjat e para të përmirësimit të këtij sektori.

Ne përurimin e zyrave të reja të Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, kryeministri përmendi rritjen e eksporteve si rezultat konkret, ndërsa akuzoi qeverinë e mëparshme për mënyrën se si trajtoi fshatin dhe fermerin.

“30% rritje e eksporteve të bujqësisë në 5 muajt e parë me siguri do të thotë diçka. Kemi lehtësuar në mënyrë të ndjeshme fermerin nga presioni i jashtëzakonshëm i korrupsionit dhe një administrate që i rrinte në qafë për t’i marrë frymën në mënyrë që t’i nxirrte pjesën e vet”, deklaroi Rama.

Kryeministri tha se qeveria rriti me 70% buxhetin për bujqësinë në një vit të vështirë, siç u shpreh ai, kur i duhej të përballej me malin e borxheve të trashëguara nga qeveria paraardhëse. Edhe fondet e BE-së janë në rritje, tha Rama, ndaj qeveria ka përgatitur kuadrin ligjor për t’i përthithur ato.

Sfida e radhës mbetet formalizimi dhe rajonalizimi i bujqësisë duke financuar projekte për kultura që përbëjnë avantazh krahasues për një zonë të caktuar.

“Nuk do shpërndajmë fonde kuturu që nuk përputhen me planin kombëtar të zhvillimit të bujqësisë. Përmes kryerjes së kësaj detyre do të orientojmë fokusimin e rajoneve tek kulturat më të dobishme të tyre”, nënvizoi Rama.

Ndërkohë, ministri Edmond Panariti tha se skemat e reja të bujqësisë synojnë të nxisin prodhimin në vend dhe të luftojnë klientelizmin. “Përqasja jonë është e orientuar drejt rezultatit, pengimit të skemave klienteliste të cilat nuk e nxisnin prodhimin por ushqenin rrjetet klienteliste”, deklaroi Panariti.

Top Channel