Basha: Ndërpritni ndarjen administrative

16/06/2014 00:00

Partia Demokratike nuk mbështet as formën dhe as përmbajtjen e reformës territoriale të propozura nga qeveria. Dhe sipas opozitës, një lajm i mirë për demokracinë është se kjo reformë e papranueshme po kundërshtohet me protesta nga shumë qytetarë në disa bashki të vendit.

Për Partinë Demokratike, modeli qeveritar i asaj që e quan “pseudoreformë territoriale” është rikthim tek modeli i komiteteve ekzekutive të kohës së diktaturës, larg interesave të qytetarëve dhe kundër vullnetit të tyre.

“Viti zero i çon atje ku nuk ka pasur asnjë element të autonomisë vendore në Shqipëri, pra para vitit 1990. Projekti i tyre i mirënjohur i pushtetit të një grushti oligarkësh në piramidën e tyre të oligarkisë i çon te modeli i ish-komiteteve ekzekutive me emërtime të reja. Me këtë qytetarët nuk mund të pajtohen. Për këtë qytetarët po ngrihen”, deklaroi Basha në mbledhjen e grupit.

Partia Demokratike thotë se është e papranueshme që me miratimin e njëanshëm të reformës territoriale të eliminohet konsensusi politik dhe të injorohet vullneti i qytetarëve dhe e drejta e tyre kushtetuese për t’u pyetur për ndryshimin e kufijve vendorë.

“Opozita përsërit sot kërkesën e saj drejtuar qeverisë dhe shumicës që të heqë dorë, të tërhiqet nga projekti i saj i shkatërrimit të pushtetit vendor, të kthehet në pikënisje, të rifillojë me këmbën e mbarë të konsensusit, gjithëpërfshirjes, konsultimeve reale në funksion të një reforme moderne që do t’i vlejë Shqipërisë dhe qyetarëve të saj për dekadat e ardhshme. Është momenti për të reflekruar sot, tani. Në të kundërtën, për ne mbetet zgjidhja që kemi paralajmëruar: t’i presim me kushtetutë në dorë në sheshet e protestave që qytetarët kanë nisur t’i mbushin”, tha më tej Basha.

Top Channel