Laboratorët e drogës, arrest me burg të akuzuarve

14/06/2014 00:00

Dy të arrestuarit e operacionit anti-drogë që përfshiu Shqipërinë dhe Kosovën, duke u finalizuar me gjashtë të arrestuar dhe bllokimin e dy laboratorëve ku përpunohej droga, u paraqitën të shtunën para trupit gjykues.

I pyetur nga gjykata nëse kishte zgjedhur apo jo një avokat për t’u përfaqësuar, i pandehuri Kujtim Çela e konsideroi të panevojshme praninë e një mbrojtësi.

Kjo nënkupton se ai do të këmbëngulë për pafajësi gjatë betejës gjyqësore me prokurorinë, e cila i adreson atij akuzën e trafikimit të narkotikëve dhe mbajtjes së armëve në sasi të mëdha. Gjyqtari vendosi për të masën e sigurisë ‘arrest  me burg’, pasi prokurori i çështjes lexoi të dhënat e deritanishme të hetimit.

Prokurori Anton Martini tha se në vilën trekatëshe të 44-vjeçarit dhe vëllait të tij Gëzim Çela në Fushë Kuqe u bllokuan 22 kg heroinë, 207 kg marijuanë, 22 bidonë me nga 25 litra secili me açeton që shërben si përzierës i drogës, si edhe armatime të shumta si pistoleta, snajper, automatikë, shotgun, si dhe granata e fitil zjarrpërcjellës.

Por Kujtim Çela replikoi me parashtrimin e prokurorit duke thënë se, “unë nuk di gjë për asnjërën prej tyre. Ato janë të babait tim”. Ndërkohë, gjykata shpalli masën në mungesë edhe për të vëllain Gëzim Çelën, aktualisht i kërkuar, për organizm të trafikut të narkotikëve.

Ndërkohë, i arrestuari tjetër i këtij operacioni, Reald Hysolli, i cili u bllokua teka po transportonte nga Kosova shtatë kilogramë kokainë e që dyshohet se ka pozicionin e korrierit në këtë grup, ka tentuar të lehtësojë pozitat e të kërkuarit Gëzim Çela.

“Ai nuk ka lidhje me këtë histori. Unë nuk e njoh, e bleva vetë kokainën dhe do ta shisja për të bërë lekë”, ka thënë 25-vjeçari. Por kur gjykata e ka pyetur të pandehurin se ku e ka gjetur shumën e konsiderueshme të lekëve për të blerë kokainën, ai ka zgjedhur të heshtë.

Në Kosovë, për të njëjtin operacion që shënoi një bashkëpunim të mirë mes policisë e prokurorisë shqiptare dhe atyre kosovare, u arrestuan katër persona, si edhe u bllokuan 18 kg kokainë dhe laboratori ku përpunohej lënda narkotike.

Top Channel