Votohet komisioni hetimor për emërimet

12/06/2014 00:00

Vetëm me votat e mazhorancës dhe mes debateve të shumta me opozitën, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ngritjen e komisionit hetimor për emërimet në administratë, por duke e shtrirë afatin e hetimit të tij që prej vitit 2009 e deri më sot.

Fillimisht opozita kërkoi që ky komision të përfshinte vetëm periudhën 2013-2014, por mazhoranca kërkoi që afati të shtrihej edhe gjatë viteve të qeverisjes nga PD.

Në fund të debateve, me 75 vota pro u vendos të ngrihet ky komision, ndërsa pritet dorëzimi i emrave të pjestarëve të tij nga partitë parlamentare.

Një ditë më parë, kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka sqaroi pse demokratët nuk pranonin ndryshimin e periudhës për të hetuar ligjshmërinë e emërimeve në administratë siç donin socialistët.

“Që ne të pranojmë që mazhoranca të përcaktojë objektin e hetimit tonë është absurde, është jashtë çdo logjike. Pastaj ngelet vetëm që mazhoranca të emërojë edhe opozitën, të përcaktojë edhe se kush duhet të jetë në opozitë, pasi ky është hapi i fundit”, tha Paloka.

“Kështu që, gjendemi prapë para një situatë të tillë kur kemi një shtyrje të pajustifikuar të ngritjes së komisionit hetimor  në kundërshtim me Kushtetutën”, shtoi numri dy i demokratëve.

Top Channel