Legalizimet, Rama: Fund shkatërrimit

12/04/2014 00:00

“Shpërndarja e titujve të pronësisë falas do t’i japë fund historisë së tmerrshme të zvarritjeve dhe korrupsionit që ka zgjatur për vite me radhë”. Kështu deklaroi Kryeministri Rama njëkohësisht deputet i Vlorës teksa shpërndarë certifikatat e pronësisë në këtë qytet.

“Ata që më pas do të guxojnë të vënë një tullë pa leje, do të ndiqen penalisht. Nuk mund të vazhdojë më kjo histori që është e pashembullt për Evropën dhe që e ka bërë Shqipërinë një vend ku ‘gjej një shesh e bëj një përshesh'”, tha Rama.

Në qarkun e Vlorës janë bërë në vite rreth 25 mijë vetëdeklarime, tha drejtori përgjithshëm i ALUIZNI-t Artan Lame dhe janë dhënë lejet e legalizimit për vetëm 2700 ndërtime. Ndërkohë Qeveria e mëparshme, në 8 vjet, në rang vendi shtoi ai, ka realizuar legalizime në masën 5-6 %, ndërsa në Vlorë ka legalizuar në masën 12 %, shumica dërmuese e të cilave janë legalizime problematike për të cilat Kryeministri Rama u shpreh me këto fjale: “Këtu në Vlorë me këtë proces është bërë një abuzim i tmerrshëm nga ana e strukturave të ALUIZNI-t të deridjeshëm, duke legalizuar vetëm për qëllim fitimi dhe korrupsioni. Janë legalizuar godina, që në asnjë mënyrë nuk duhet të legalizoheshin, të ndërtuara në mënyrë abuzive në bregdet, të ndërtuara dhe duke i marrë Vlorës fytyrën dhe ajrin. Kjo është realisht një faqe e turpshme e një pushteti kudo ku mundi rrënoi për të përfituar dhe përfitoi duke rrënuar”, tha Rama.

Kryeministri Rama theksoi se përmes procesit të legalizimi falas, po synohet edhe ndërgjegjësimi i familjeve për të kryer pagesën e energjisë elektrike.

“Për ata që do të paguajnë do të bëjmë edhe një ulje tjetër, që është një ulje prej 400 mijë lekë nga 4 milionët. Kush do paguajë menjëherë, do të ketë edhe një 400 mijë lekë që nuk do ta paguajë, por do ta ketë në hipotekë, si kufizim dhe do ta përdorë për të paguar energjinë elektrike. Dhe pas 2 vjetësh, mjafton që të tregojë faturat që ka paguar energjinë elektrike dhe e heq edhe këtë detyrim. Kjo, sepse ne nuk duam që për shkak të pamundësisë familjet në nevojë apo familjet që sidoqoftë kanë shpenzuar gjithçka për të bërë shtëpinë edhe janë në gjendje të vështirë, të përfundojnë në ndjekje penale dhe kryefamiljari të përfundojë në burg për vjedhje të energjisë”, tha Rama.

Top Channel