Komisioni Hetimor për Shkarkimet në Polici shkaktoi debate të gjata dhe të ashpra mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës, pas leximit të një mesazhi telefonik nga deputeti Flamur Noka, i cili pretendoi se është një mesazh që i ishte dërguar Ministrit të Brendshëm nga Kryeministri i vendit.

Flamur Noka, deputet i PD: Një sms që ju ka ardhur para pak ditësh nga Kryeministri juaj: ‘Në muajin mars 2014, dyfish vrasjë në krahasim me muajin mars 2013, gjithashtu janë përkeqësuar të gjithë treguesit e tjerë. Kjo është e trishtë për mua dhe e rëndë për qytetarët dhe shpresoj që kjo për ty të mos jetë vetëm tregues statistikor. Kjo nuk është kurrkund ajo që ke marrë përsipër përpara meje dhe ne kemi marrë përsipër përballë qytetarëve, pasi unë dhe ti, është e përsëritur thirrja ‘për hir të punës’ dhe ‘dashamirësisë njerëzore karashi teje’, por ky kufi nuk mund të shkelet në neglizhencë fatale dhe ky lëshim skandaloz i punës dhe për këtë unë jam shumë larg së menduari që problemi je ti dhe jo vartësit dhe nëse janë të paaftë ata, unë nuk kam dëshirë të merrem me ta, por mua më takon të merrem me ty. Unë besimin që ta kam dhënë, detyra dhe pritshmëria e publikut, s’e meriton gjëkundi këtë pritshmëri. Flasim nesër për më tepër, por këto orë që të kanë ngelur bëj më pak orë gjumë dhe mendo ku ke gabuar? Ç’nuk ke bërë mirë dhe ç’do bësh për t’i riparuar nëse mundesh”. Që të jem i sinqertë është hera e parë që bie dakort me Kryeministrin tend dhe kryetarin e Partisë Socialiste.

Saimir Tahiri, Ministër i Brendshëm: Unë besoj që kjo që sapo dëgjuat është arsyeja se përse policia ishte e katandisur në atë nivel.

Por socialistët reaguan ashpër duke aluduar për vërtetësinë e këtij mesazhi. Madje, ata hodhën akuza të një përgjimi të mundshëm të SHISH të celularit të Ministrit të Brendshëm, nisur edhe nga polemikat e vazhdueshme mes Tahirit dhe Visho Ajazit pikërisht për cështje që kanë të bëjnë me përgjimin e policisë dhe mosraportimin apo raportimin e Ajazit në struktura të tjera.

Blendi Klosi, deputet i PS: Pyetja juaj dhe e ripërsëritur ishte, zoti Ministër a pranoni që keni marrë këtë mesazh nga Kryeministri? Këtu unë ndërhyra, këtu ndërhyjmë. Nuk mund të pranojmë ne që ju vazhdoni dhe përgjoni bisedat telefonike të Kryeministrit me Ministrin. Kjo për mua përbën një shkelje të rëndë dhe duhet analizuar më thellë se sa ky komision.

Vetë Ministri i Brendshëm Tahiri u shpreh se mesazhin ja kishte dërguar ai vartësve të tij për shkak se gjatë muajit mars të 2014-ës, kishte një rritje të krimit.

Saimir Tahiri: Nuk kam problem t’i përgjigjem pyetjeve të këtij komisioni. Atë mesazh e konfirmova, është një mesazh që unë i kam dërguar dy bashkëpunëtorëve të mi. Besoj që Flamuri ka burime për ta gjetur atë mesazh dhe besoj e kupton ai ku. Unë jam krenar për bashkëpunëtorët e mi dhe për skuadrën e Policisë së Shtetit.

Pavarësisht se debati u mbyll pas rreth një ore, duket se cështja e përgjimit të mundshëm të Ministrit të Brendshëm do të shkaktojë polemika të tjera në orët dhe ditët në vijim.

Rama: SMS-ja ime? Një shpifje

Kryeministri Edi Rama reagoi në mbrëmje në “Twitter” për këtë çështje. “Sms-ja ime për Ministrin e Brendshëm?”, pyet Rama. Dhe përgjigjet: “Një shpifje! Kryeministri thotë mendimi i tij për Saimir Tahirin. “Ai është Ministri i duhur që meriton respekt për punën e palodhur”, deklaron Kryeministri. 

Shkarkimet në polici
Tahiri: Emërime nepotike dhe rritje gradash të pamerituara
 
Gjatë katër orëve të tjera të dëshmisë së Tahirit në Komisionin Hetimor, Ministri i Brendshem u shpreh se kishte ndeshur në emërime nepotike dhe në rritje gradash të pamerituara të drejtuesve të Policisë së shtetit kur mori detyrën, ndaj dhe e quante largimin dhe shkarkimin e tyre të merituar. Ndërsa për emërimet ai tha se ishin vendosur në detyrë specialistë të zotë.

“U ngritën në grada në mënyrë të pamerituar duke cëniuar në themel zinxhirin e meritokracisë. Zoti Mërgim Hoxha, emëruar në detyrën e Drejtorit të Qarkut të Lezhës në vitin 2007 pa punuar asnjë ditë në Policinë e Shtetit. Shkoi në atë detyrë direkt nga drejtori i Ujësjellësit të Lezhës. Kemi gjetur drejtues në Policinë e Shtetit të cilët në dosje kishin të administruar vërtetim; Partia Demokratike Shqiptare, Dega Peqin, si kryetar i degës së PD-së në Peqin kjo është administruar si vjetërsi pune. Drejtori i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, Osman Levanaku, administruar në dosjen e punës nga viti 1999-2005, roje Partia Demokratike e Shqipërisë.

Mes Ministrit të Brendshem dhe kreut të Komisionit, Arben Ristani pati debate të shpeshta për këtë deputeti i PS-së Balla reagoi për procedurë, për mënyrën se si u drejtua seanca dëgjimore.

“Zoti Kryetar i Komisionit është e disata herë, po ju kujtoj që institucioni i Komisionit Parlamentar është i ndryshëm nga një institucion tjetër që mund të keni drejtuar kohë më parë. Me cfarë të drejtë, kryetari i Komisionit, bazuar në ligj dhe në rregullore, ribën pyetjen e anëtarëve të Komisionit? Asnjëherë”, tha zoti Balla.

Në fund të seancës së të premtes sërish pati debate për shkak se nënkryetari i Komisionit Balla propozoi mbylljen e hetimeve dhe daljen në raportin përfundimtar, ndërsa demokratët kërkuan vazhdimin e dëgjesave duke rithirrur disa dëshmitarë.

Top Channel