Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, gjatë një interviste për Top-Channel ka hedhur poshtë pretendimet e kreut të shtetiti Bujar Nishani për cënim të kompetencave të presidentiti përmes një projektligji të ri për ushtrinë, cili ka në fokus veç të tjerave edhe emërimet e ushtarakëve të lartë dhe çështjen e pronave të ushtrisë.

Zonja Kodheli tha se bëhet fjalë deri tani për një draft pune dhe në asnjë rresht të tij nuk cënohen kompetencat e presidentit në lidhje me forcat ushtarake. Me ministren Kodheli bisedoi gazetari i Top-Channel Muhamed Veliu.

TCH: Znj. Ministre, është hapur një debat dhe Presidenti i Republikës i mëshon faktit që me projektligjin e ri për zinxhirin e komandimit cënohen të drejtat e Presidentit. Cënohen apo jot ë drejtat e tij?

Kodheli: Absolutisht jo, asnjëherë dhe në asnjë rast. Unë jam këtu për të siguruar publikun edhe institucionin e Presidentit se në asnjë gërmë të draftit apo të projektligjit, i cili do të ristrukturohet në frymën e të gjithë reformave dhe gjithë ristrukturimit që i duhen bërë bazës ligjore, mbi të cilën mbështetet veprimtaria e Forcave të Armatosura dhe Ministrisë së Mbrojtjes, ekzekutivit dhe institucionit të Presidentit, nuk ka të shkruajtur ndonjë cënim të kompetencave kushtetuese të Presidentit të Republikës. Unë veçanërisht si ministre e Mbrojtjes, qeveria ku unë bëj pjesë, Kryeministri Rama janë më shumë se kurrë të vendosur të respektojnë kushtëtueshmërinë e çdo ligji që ne do të kalojmë në Parlamentin Shqiptarë, të respektojmë institucionet e pavarura dhe me këtë projektligj ne do ta shtyjmë akoma më tej këtë që unë po them, do ta vlerësojmë figurën e Presidentit, duke e fokusuar detyrimin e tij Kushtetues vetëm tek ato të drejta dhe detyrime që Kushtetuta i jep Presidentit të Republikës.

TCH: Znj. Ministre, a ka pasur një konsultim paraprak me institucionin e Presidentit për këtë projektligj duke pasur parasysh faktin se kreu i shteti është njëkohësisht dhe Komandant i Përgjithshëm i FA?

Kodheli: Atëherë, unë dua t’ju siguroj për diçka. Në kohën që unë kam qenë në opozitë, ne kemi pretenduar me të drejtë më shumë se në një rast, se keqmenaxhimi që po i bëhej FA, pronave publike në dispozicion të FA, strukturave paralele apo  atyre strukturave që dolën jashtë kuadratit ligjorë, të cilat  FA me të gjithë strukturat e veta kanë detyrimin të mbrojnë dhe sigurojnë integritetin e Republikës së Shqipërisë dhe sigurinë e qytetarëve të saj, i mbetem këtij pretendimi dhe ju siguroj që do të bëj çështë e mundur bashkë me qeverinë për ta futur  historinë e FA në rrugën e drejtë, atje ku e ka nderin dhe detyrimin. Sot Ministria e Mbrojtjes, FA, Shqipëria është vend anëtarë i NATO-s, ndaj dhe detyrimet që rrjedhin nga të qenit anëtarë i NATO-s janë të pasqyruara më së miri në të gjithë paketën e ndryshimeve që do të vijnë më pas. Prandaj dua nëse më lejohet të ndaj me ju diçka krejt specifike. Menaxhimi i pronave në FA do të bëhet sipas të gjitha procedurave, aspekteve ligjore dhe kushtetuese mbi të cilat është bazuar edhe sot ligji. Pra, unë në të gjitha rastet, në diskutimet që kemi bërë për këtë projektligj, kam qenë e qartë dhe e prerë se ky menaxhim siç bëhet sot nga Presidenti i Republikës do të vazhdojë të jetë i tillë. Sigurisht që draftet janë materiale në diskutim, të cilat janë dërguar për të diskutuar në institucionet që ky draft prek. Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave, Ministria e Brendshme, Prokuroria e Përgjithshme, institucionet e Shërbimeve Inteligjente, është Presidenca, Parlamenti, pra të gjitha institucionet që preken nga ky draft janë të njohura me propozimin që kemi bërë. Ky është një proces, përfundon si i tillë vetëm kur mer miratimin e Kuvendit të Shqipërisë.  Ka një draft krejt paraprak. Unë nuk e di pse del në publik dhe në fakt të jem e sinqertë me ju, gjatë momentit që kjo gjë diskutohet, mgjithatë dhe kështu siç është është ok. E rëndësishme është që unë jam këtu për të siguruar diçka: Respektimin e kushtetueshmërisë dhe paprekshëmrisë së kësaj që unë po them në raport me marrëdhëniet e MM, kryeministrit ndaj Kuvendit dhe pa dyshim ndaj Presidentit të Republikës.

TCH: Znj. Kodheli, përse janë të nevojshme këto ndryshime që kërkoni të bëni nëpërmjet këtij drafti?

Kodheli: Së pari, në vitin 2009 Shqipëria është futur në NATO dhe nuk ka pasur asnjë reflektim në ligjet që ishte bazuar MM dhe FA. Njëri daton në 2004 dhe tjetri në 2007, të vjetër në opinionin e ekzekutivit. Ne jemi këtu për të rifilluar një reformë, e cila nuk filloi dhe as nuk përfundoi në FA me gjithë transformimet që janë bërë. Ajo që është më e rëndësishme është kjo gjë, FA kanë një operativitet tjetër sot që flasim dhe unë mendoj që në një moment të caktuar, në një situatë krejt shqetësuese siç mund të jenë situatat që krijohen përditë në gjeopolitikë: konflikti Ukrainë-Rusi; Krimea; konflikte të tjera si konflikti në Siri; konfliktet që vijojnë të mbeten eminente në Afganistan e kështu me radhë, krijojnë nevojën e një përgjigje emergjente të FA, të atyre uniteteve që duhet të përgjigjen në rastet e mbrojtjes kolektive dhe është në të mirë të punës, është në të mirë të përgjigjes së shpejtë që ne duhet t’i japim strukturave të NATO-s që janë struktura drejtuese edhe për FA, që nuk mund të kemi luksin të presim përgjigje, siç mund të jetë dhe rasti i ç’dekretimit apo dekretimit presidencial, megjithëse kërkesat bëhen siç është bërë në një rast ku ministri i Mbrojtjes i ka kërkuar Presidentit një ç’dekretim që nga fundi i nëntorit 2013 dhe ky nuk ka ardhur, megjithëse po shkojmë në fund të prillit. Nuk mund të jetë ky aksioni i FA të Republikës së Shqipërisë i një vendi anëtarë i NATO-s, duhet të ketë një tjetër intensitet, një tjetër aktivizim të të gjithë strukturave të FA-së. Pa dyshim pa cënuar asnjëherë dhe në asnjë rast kushtetueshmërinë që është patjetër, le të themi, ligji themelor mbi të cilin ngrihet shteti shqiptarë.

TCH: Në mbledhjen e qeverisë keni kaluar sot projektligjin për SHIU-n. Kush janë risitë, çfarë kërkon të regullohet nëpërmjet këtij projektligji?

Kodheli: T’ju them të drejtën në opinionin tim, opinion që është njohur që kur ne kemi qenë në opozitë, ka pasur një tejkalim të kompetencave të institucionit të Inteligjencës Ushtarake, tejkalim ky i cili pastaj ka çuar në veprime tejet të paligjshme. Sot ky është një aktivitet i cili është në vëzhgimin e Prokurorisë së Përgjithshme dhe për këtë shpresoj se të gjithë besoj që ju të gjithë jeni njohur dhe nuk mund të ndalem më shumë se kaq. E rëndësishme është që risia që sjell projektligji sot është kufizimi i veprimtarisë së këtij shërbimi, atje ku Kushtetuta e përcakton se si duhet të jetë kjo veprimtari dhe fokusimi i këtij shërbimi tek FA, dhe Ministria e Mbrojtjes dhe padyshim fokusimi tek ato shërbime apo aksione të kërkuara nga agjencitë homologe, qofshin të NATO-s apo të BE-së apo të partnerëve tanë, ku Shqipëria ka mërrëdhënie dypalëshe me ta. Gjithmonë e fokusuar tek siguria që duhet të krijojë ky shërbim tëk FA dhe në Ministrinë e Mbrojtjes, në të gjithë hallkën e vet të komandimit. Ky është një shërbim suplementar, komplementar me shërbimet e tjera të inteligjencës, por gjithmonë i fokusuar vetëm në këtë drejtim. Kjo është një gjë e cila duhet të perceptohet dhe besoj se do të jetë kështu dhe jam e bindur që maxhoranca e mendon në të njëjtën mënyrë dhe do të kemi mbështetjen maksimale, qoftë për ligjin për Shërbimin Informativ të Ushtrisë, qoftë edhe për draftet që jemi duke diskutuar si pjesë e paketës së ndryshimeve ligjore përsa i përket FA dhe Ministrisë së Mbrojtjes, të lidhur gjithmonë me përqendrimin tek detyrimet kushtetuese që këto shërbime dhe institucione kanë, pa zgjeruar në mënyrë abuzive, le të themi, fushën në të cilën këto shërbime veprojnë.

Top Channel