Kryetari i Kuvendit Ilir Meta priti në takim zëvendëspresidentin e
Parlamentit Evropian Gianni Pittella, të cilit i konfirmoi vendosmërinë
për reformat në vend.

“Pavarësisht vendimit të Këshillit në dhjetor, ritmi i reformave të nisura do të intensifikohet, ndërkohë që puna për përmbushjen e mëtejshme të rekomandimeve të Komisionit Evropian do të vazhdojë”, deklaroi kryetari i Kuvendit.

Meta vuri në dukje se Kuvendi i Shqipërisë i kushton vëmendje të veçantë dialogut konstruktiv politik dhe krijimit të hapësirave maksimale në funksion të kontributit të Opozitës. Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian nënvizoi mbështetjen e plotë te Parlamentit Evropian ndaj procesit të integrimit të Shqipërisë, duke theksuar rëndësinë e bashkërendimit të forcave pozitive në Bashkimin Evropian në funksion të avancimit të reformave në të gjithë rajonin e Ballkanit.

Zëvendës Presidenti i Parlamentit Europian Gianni Pittella gjatë vizitës së tij zyrtare në vendin tonë u prit në një takim edhe nga Bashkëkryetari Socialist i Delegacionit të Kuvendit në PE Taulant Balla.

Pittella dhe Balla biseduan për situatën politike në Shqiperi, reformat e domosdoshme për përmbushjen e rekomandimeve të KE-së si edhe për parlamentarizmin në vendin tonë. Balla e falenderoi Pittella për mbështetjen e pakursyer që ai personalisht, por edhe Parlamenti Europian i ka dhënë Shqipërisë në proceset integruese në Bashkimin Europian.

ZëvendësPresidenti i Parlamentit Europian theksoi mbështetjen e plotë të tij dhe të Parlamentit Europian ndaj Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Zoti Pittella vlerësoi ecurinë e deritanishme të Qeverise ndërsa tha se reformat duhet të vazhdojnë me të njëjtin intensistet në të mirë të Shqipërisë.
 

Top Channel