Aksesi për aftësinë e kufizuar

05/02/2014 00:00

Në pjesën më të madhe të institucioneve publike, rreth 180 mijë qytetarë të Shqipërisë me aftësi të kufizuara e kanë të pamundur të lëvizin, apo për të kryer shërbime të ndryshme publike.

Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliaj ka mbledhur këshillin ndërministerial, ku ka kërkuar zbatimin e rregullave të përshtatshmërisë ndërtimore në institucionet publike dhe qendrore.

“Të ndalohet menjëherë krijimi i barrierave të reja për mjediset urbane dhe investimet e reja publike. Të nisë puna për eleminimin e barrierave ekzistuese në institucionet publike, përmes vendosjes së aksesit. Ky problem nuk është aspak i ri. Pavarësisht ligjeve të miratuara dhe konventave ndërkombëtare të ratifikuara, kemi rënë në sindromën e miratimit dhe moszbatimit”, deklaroi Veliaj.

Zëvendëskryeministri Niko Peleshi tha se ligji ekziston, por në Shqipëri ai nuk zbatohet. “Si gjithmonë në Shqipëri legjislacioni nuk mungon. Mbase nuk është i plotë, por gjithësesi e imponon aksesin tek ndihmat të personave me aftësi të kufizuara. Janë të gjitha institucionet që kanë në dorë ta detyrojnë zbatimin e ligjit”, deklaroi Peleshi.

Ministrja e Turizmit dhe Planifikimit Urban, Eglantina Gjermeni tha se asnjë projekt nuk do të miratohet pa plotësuar këtë kriter dhe do të punohet me shpejtësi, që këta persona t’i kenë sa më shpejt të aksesueshme këto institucione.

“Garantoj që në sekretariatin e ministrisë sonë një nga kriteret për projektet do të jetë patjetër aksesinpër të gjithë, përfshirë atë për individët me aftësi të kufizuara. Më vjen mirë që ky kriter do të ketë zbatueshmëri. Brenda javës të gjitha ministritë do të kenë draftin”, deklaroi Gjermeni.

Janë me dhjetëra fëmijë që nuk mund të frekuentojnë shkollën, apo me qindra persona të cilët nuk mund të marrin shërbime publike pranë qendrave shëndetësore, pasi nuk kanë ku të kalojnë.

Top Channel