Banda e vrasësve me pagesë

29/01/2014 00:00

Policia ka mundur të ndërhyjë në zinxhirin e një grupi kriminal, organizator kryesor në një seri vrasjesh me pagesë, brenda dhe jashtë vendit. Një prej tyre, më i rrezikshmi, Julian Sinanaj, mendohet të jetë autor i të paktën 20 vrasjeve jashtë kufijve shqiptare dhe një sërë krimesh të tjera në vend, përfshirë edhe krimet me eksploziv të telekomanduar që kanë tronditur vendin kohët e fundit.

Sinanaj u arresua të shtunën në mesditë në Tiranë, sipas policisë, ndërsa po punonte për vrasjen e porositur të një biznesmeni, ndërsa ishte duke identifikuar dhe fiksuar fotot e tij me aparat fotografik. Pas arrestimit të një tjetër anëtari të grupit, Marion Mitri, porositës i disa prej krimeve me shpërthim të telekomanduar, policia zbuloi edhe bazën e tyre në Tiranë ku bëhej ndërtimi i minave.

Drejtori i Policisë së qarkut Tiranë, Ardian Çipa tha se Sinanaj, i padënuar ndonjëherë më parë, ishte vrasës me pagesë dhe çelësi i zbërthimit të një aktiviteti të rëndë kriminal që zbardhi zinxhirin e plotë, që nga porositësi i vrasjeve, te ndërmjetësit e deri te ekzekutorët.

“Policia ka mundur të arrestojë shtetasit J.S, N.GJ dhe Marion Mitro dhe njëkohësisht të parandalojë vrasjen e një biznesmeni, e cila ishte porositur dhe ishte duke u realizuar nga personat e lartpërmendur. Gjithçka ka nisur pak ditë më parë, me arrestimin e shtetasit J.S, 30 vjeç nga Vlora, i cili ishte mbajtur në vëzhgim nga policia e Tiranës, pasi dyshohej ai autor i mundshëm i disa veprave të rënda penale dhe person më rrezikshmëri të lartë, pasi kishte njohuri të posaçme në prodhimin dhe vendosjen e eksplozivave të telekomanduar. Ky person përveç aktivitetit kriminal në vendin tonë, dyshohet se është autor i mbi 20 vrasjeve me pagesë si dhe veprave të tjera penale të rënda në shtetin grek”, ka deklaruar Çipa.

Çipa sqaroi se një nga porositësit u arrestua në Rinas, teksa përpiqej të largohej nga vendi. “Policia ka mundur të arrestojë sot paradite në aeroportin “Nënë Tereza”, shtetasin Marion Mitro, teksa tentonte të largohej jashtë vendit. Policia e kishte nën mbikqyrje Mitron dhe ka ndërhyrë në momentin e duhur për ta ndaluar atë. Ky shtetas dyshohet se është porositësi i lëndës eksplozive që u vendos në automjetin e Prefektit të Vlorës në datë 13 dhjetor 2013 dhe që u zbulua në hyrje të godinës së Kryeministrisë”, ka thënë Çipa.

Deri më tani veprat penale të dokumentuara të kryera nga i dyshuari si vrasës me pagesë, Jualian Sinanaj, janë kryseisht vrasje në qytetin e Vlorës. “Nga veprimet hetimore proçeduriale të kryera ka rezultuar se shtetasit e lartpërmendur në bashkëpunim me njëri-tjetrin janë autorët e dyshuar të një sërë ngjarjesh të rënda kriminale”, ka nënvizuar Çipa, i cili ka renditur ngjarjet kryesore:

1) Vrasja e shtetasit Sokol Veizi, më datë 26 gusht 2012 në Orikum të Vlorës;
2) Vrasja e shtetasit Agron Çela, në datë 20 gusht 2013 në Vlorë;
3) Vendosje e lëndës plasëse në banesën e shtetasit Ardian Kollozi, më datë 1 qershor 2013 në Vlorë;
4) Vendosje e lëndës plasëse në automjetin e Prefektit të Vlorës
5) Besnik Dervishi, në datë 13 dhjetor 2013 në Tiranë;
6) Vendosje e lëndës eksplozive në motoçikletën e shtetasit E.B. në rrugën Transballkanike në Vlorë më datë 24 tetor 2013;
7) Vendosje e lëndës eksplozive në automjetin e shtetasin E.B. në Vlorë në datë 31 gusht 2013.

Në banesën e tij tek Rruga e Kavajës në Tiranë, Sinanajt iu gjetën një seri armësh të kalibrave të ndryshëm si edhe lëndë eksplozive të llojit C4 dhe tritol. Policia ka shpallur në kërkim dy vëllezërit Genis dhe Andon Mëhillaj, si bashkëpunëtorë të tij nën akuzën e “veprave penale me qëllime terroriste”.

Top Channel