PD kujton Pavarësinë dhe Çlirimin

28/11/2013 00:00

Si cdo vit, demokratët kanë përkujtuar në një ditë, pavarësinë e Shqipërisë dhe ditën e clirimit të vendit.

Kryetari i Partisë Demokratike, njëherësh kryetar i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha dhe ish-kryeministri Sali Berisha kanë kryer homazhe në Varrezat e Dëshmorëve, në monumentin e Nënës Shqipëri.

Pasi ka nderuar kujtimin e dëshmorëve të rënë, kryetari i Partisë Demokratike Basha u ndal tek ajo që e quajti përgjegjësi për të cuar tashmë vendin drejt Bashkimit Evropian. Në këtë pikë ai komentoi dhe miratimin në unanimitet të rezolutës së propozuar nga Partia Demokratike për mbështetjen e statusit të vendit kandidat.

“Uroj që akti i djeshëm i miratimit të Rezolutës propozuar nga Partia Demokratike për të mbështetur statusin kandidat të mos mbetet një akt simbolik dhe i veçuar.Uroj që kjo ditë të shërbejë për të ndërgjegjësuar të gjithë klasën politike shqiptare dhe të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë, për përgjegjësitë e mëdha që na presin, për përgjegjësitë e një gjenerate e cila duke ia marrë frymëzimin nga sakrificat e shumta që çuan deri ditën e sotme, ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, ditën e Pavarësisë së Kosovës, ditën e hyrjes në NATO, ditën e dinjitetit të shqiptarëve që të lëvizin pa viza në Europë, të vazhdojmë të përmbushim me besnikëri të plotë ndaj këtyre idealeve të gjitha detyrimet tona për të plotësuar kilometrat e mbetura për ribashkimin e plotë politik të Shqipërsë me Europën”, tha Basha.

“Eshtë dita në të cilën ne nderojmë Ismail bej Vlorën, etërit e Pavarësisë dhe të shprehim nderimin më të madh gjithashtu për familjet e të rënëve, sakrificën e njerëzve të tyre më të dashur, t’i urojmë Shqipërisë statusin e vendit kandidat dhe sukses të mëtejshëm në proceset e integrimit”, tha Berisha.

Pas homazheve në Varrezat e Dëshmorëve, zoti Basha i shoqëruar edhe nga përfaqësues të ambasadës së Kosovës ben homazhe dhe vendosen kurora me lule në memorialin e Komandantit legjendar Adem Jashari.

Basha nga shtatorja e Ismail Qemalit: Nderojmë veprën e tij

Nga shtatorja e Ismail Qemalit në Tiranë, rreth orës 16:00, pikërisht në orën kur 101 vite më parë në Vlorë shpallej pavarësia, kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe i Partisë Demokratike, Lulzim Basha përcolli mesazhin e urimit për këtë përvjetor.

“Në këtë orë të 28 nëntorit 1912 u shpall akti i pavarësisë. Ismail bej Vlora, bashkë me elitën e mendjes, shpirtit dhe kurajos së shqiptarëve, mishëruan aktin e pavdekshëm të shpalljes së Shqipërisë të lirë dhe të mosvarme”, tha Basha.

Kreu i PD-së tha se me nderimin e veprës së pavdekshme të përfaqësuesve që shpallën pavarësinë e vendit, shqiptarët vazhdojnë rrugëtimin e tyre drejt bashkimit politik, ekonomik dhe shpirtëror me Bashkimin Europian.

“Sot në kryeqytetin e Shqipërisë, ne nderojmë veprën e pavdekshme, kurajon e Ismail bej Vlorës dhe përfaqësuesve të tjerë të elitës së mendjes, shpirtit dhe trimërisë së shqiptarëve, që me këtë akt mbyllën shekuj sakrificash dhe hapën kapitujt e Shqipërisë së pavarur, e kombit shqiptar që udhëtoi në të tjera rrebeshe drejt destinacionit ku jemi sot. Vepra e Ismail bej Vlorës na mbush me kurajo për të vazhduar në këtë drejtim drejt bashkimit politik, ekonomik dhe shpirtëror në familjen e madhe europiane”, u shpreh Basha.

Top Channel