101 vjet nga Dita e Pavarësisë

28/11/2013 00:00

Kryetari i shtetit, kryeministri e kryeparlamentari kanë bërë homazhe e vunë kurora në varrin e atij që cilësohet si “Babai i Kombit”, Ismail Qemali, emrit të të cilit i atribuhet pavarësia e vendit, 101 vjet më parë.

E gjithë ceremonia është zhvilluar pa një fjalë përshëndetëse nga krybashkiaku Vlorës Shpëtim Gjika, roli të cilit në këtë ditë festive ishte thjesht pritja e krerëve të shtetit. Në përfundim të ceremonive tek Monumenti Pavarësisë dhanë komentet e rastit për median kryetari parlamentit, Meta dhe kryeministri Rama.

Ilir Meta, Kryetar i Kuvendit: Kemi hedhur një hap të rëndësishëm me këtë 1-vjetor të parë të 100 viteve që kanë hyrë për shtetin tonë që po bëhet cdo ditë edhe më Europian.

Edi Rama, Kryeministër: Është një ditë, jo vetëm për t’u përulur përpara atyre që themeluan shtetin shqiptar, por edhe për të rinënvizuar angazhimin e plotë që ndjejmë që në këtë vit dhe në këto vite të para të 100-vjetorit të dytë të shtetit, ta cojmë Shqipërinë përpara, ta cojmë shtetin shqiptar përpara dhe njëkohësisht të rrisim edhe bashkëpunimin me të gjithë shqiptarët në të gjithë rajonin për të patur ditë më të mira për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë.

Dita e 101 vjetorit të shtetit shqiptar shërbeu për çeljen e një konkursi ndërkombetar për projektin e “Lungomares”, një premtin elektoral i kryeministrit Rama. Pjesë e ceremonive festive ishte edhe çelja e ekspozitës “Shqiptarët në Europë, gjenerata e re”. Në përfundim të këtij aktiviteti kryebashkiaku i Vlorës dha këtë prononcim për Top – Channel.

Shpëtim Gjika, Kryetar i Bashkisë së Vlorës:
Së pari uroj të gjithë shqiptarët kudo ku janë brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë, gëzuar festën e 28 Nëntorit, festën e shtetit shqiptar. 101-vjetorit të shpalljes së pavarësisë. Besoj që ishte një aktivitet dhe festë e gëzueshme, sic ka qenë edhe herët e tjera, ndërsa sa i përket pyetjes tuaj përse nuk kishte një fjalë, ju e patë që protokolli sot nuk kishte asnjë përshëndetje.

Festimeve relativisht të vakta të këtij 101-vjetori iu bashkuan edhe lideri Vetëvendosjes, Albin Kurti së bashku krytarin e Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa.

Albin Kurti, kryetari i Vetëvendosjes: 28 Nëntori shënon një datë themelore të identiteti kombëtar shqiptar, që na kujton të kaluarën e lavdishme dhe aspiratën e shqiptarëve për bashkim në një shtet. Inkurajohemi për të ecur përpara si komb, si shoqëri.

Ragmi Mustafa, Kryetar i Komunës së Preshevës:
Nga Sheshi i Flamurit, të gjithë shqiptarëve kudo që janë, urime dhe gëzuar pavarësinë e Republikës së Shqipërisë.

Në ceremoninë në qytetin e pavarësisë munguan drejtuesit më të lartë të opozitës, që festimet për këtë ditë i përqendruan në kryeqytet.
 
Prishtina e veshur kuq e zi. Tashmë traditë, për nder të 28 Nëntorit, qytetarë nga të gjitha vendet e Kosovës i janë drejtuar kryeqytetit për të festuar ditën e flamurit.

Edhe pse nuk është e shënuar si ditë feste në kalendarin e festave shtetërore, për qytetarët e Kosovës, Dita e Flamurit mbetet një ndër festat më të rëndësishme për ta.

Se sa e rëndësishme është kjo si ditë në familjet kosovare, tregon edhe fakti se po përcillet si traditë edhe tek fëmijët.

Aktivitete të ndryshme për nder të 28 Nëntorit të organizuara nga Komuna e Prishtinës, kanë filluar paraditën e së enjtes, për të vazhduar deri në orët e vona të mbrëmjes.Kosova sot feston edhe daljen publike të UÇK-së dhe ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari. Ndërkohë që në shkolla e shumicën e institucioneve nuk po punohet.

Top Channel