Të rinjtë e FRESSH në Prokurori

06/11/2013 00:00

Plot 7.860.000 lekë të vjetra duket se është shuma e shpenzuar nga shtabi elektoral i kandidatit të majtë vetëm për studentët korçarë që ndjekin universitetin në Tiranë.

Një listë emërore prej 393 personash është depozituar nga kryetarja e FRESH-it që me një përllogaritje të thjeshtë nxjerr këtë total.

Dhjetëra të rinj anëtarë të këtij forumi iu drejtuan prokurorisë së Korçës për të dorëzuar vullnetarisht listën emërore të studentëve që sipas tyre janë rimbursuar për udhëtimin e tyre nga kryeqyteti me qëllim që të merrnin pjesë në votime.

Kryetarja e FRESSH, Anxhela Taho ka depozituar në prokurori materialin ku janë të renditur emrat e studentëve që sipas saj u janë paguar 20.000 lekë të vjetra nga shtabi i PS vetëm për udhëtimin dhe jo për blerjen e votës.

“Ky rimbursim u është dhënë studentëve korçarë, anëtarë e aktivistë të FRESH, me qëllim që t’u lehtësohej kostoja e transportit për të ushtruar të drejtën e votës. Mbështetja e studentëve korçarë të së majtës nuk është blerje vote”, ka deklaruar Taho.

Po ditën e mërkurë, Prokuroria e Korçës ka nxjerrë urdhërin për sekuestrimin e materialeve filmike ku u denoncua rasti. Sipas të dhënave nga prokuroria, pas sekuestrimit pritet edhe ekzaminimi i pamjeve filmike nga ekspertët.

Top Channel