Tahiri vijon shkarkimet në Gardë

28/10/2013 00:00

Ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri ka liruar të hënën nga detyra disa oficerë të tjerë të lartë të Gardës së Republikës. Sipas informacioneve të fundit, vendimi i Tahirit është marrë me rekomandim të komandantit të Gardës, Gramoz Sako.

Nga të dhënat paraprake rezulton se oficerët e lartë janë shkarkuar për konsumim të gradës dhe karrierës. Disa prej tyre janë kolonelët Dashamir Shehu dhe Vladimir Prenga, si dhe nënkolonel Thoma Kalaci.

Më herët gjatë muajit, po me propozim të komandantit Sako, Tahiri firmosi përjashtimin nga garda të tetë efektivëve, mes tyre edhe oficerë të lakuar si ‘grupi i zjarrit’ gjatë protestës së 21 janarit 2011.

Një burim zyrtar i tha Top Channel se efektivët u liruan e më pas përjashtuan me motivacionin për thyerje të dispilinës dhe shkelje të betimit.

Një prej tyre ishte oficeri Fatos Skeja, së fundmi i angazhuar në njësinë speciale, por që para 23 qershorit njihej si shoqërues i familjes së ish-kryeministrit Berisha, por gjithashtu edhe një emër i lakuar në dosjen hetimore për rastin e një gjobëvënieje në Tiranë.

U liruan e përjashtuan gjithashtu edhe ish-shoqëruesi i ish-komandantit Ilir Duraku dhe ish-komandanti i njësisë speciale Agron Malaj, i përfolur si pjesëtar në atë që u identifikua si grupi i zjarrit më 21 janar. Të njëjtin fat pati edhe nënkapitenja Marjana Prendi, bashkëshortja e ish-komandantit Ndrea Prendi.

Kishte rezultuar, thanë burimet, se të përjashtuarit kishin udhëtuar jashtë Shqipërisë pa lejen e ministrit të Brendshëm, një rregullore kjo e përcaktuar qartë per efektivët e Gardës së Republikës.

Top Channel