Bien nga skela, humbasin jetën 2 punëtorë

28/10/2013 00:00

Dy punëtorë humbën jetën, pasi ranë nga kati i tetë i një pallati, ku ishin duke punuar rreth orës 14:00 të së hënës.

Ngjarja e rëndë ndodhi në rrugën “Dora d’Istria” në kryeqytet, në afërsi të Gardës së Republikës.

Për shkak se lartësia ka qenë e madhe, njëri prej punëtorëve ngeli i vdekur në vend pas përplasjes, ndërsa tjetri u dërgua me urgjencë në Spitalin Ushtarak të Tiranës, por nuk arriti dot t’u mbijetojë plagëve të rënda të marra.

Në bazë të hetimeve paraprake, del se shkak i aksidentimit të dy punëtorëve, banues në Bathore, ka qenë këputja e skelës.

Policia shoqëroi drejtuesit teknik të pallatit për të mësuar më shumë të dhëna rreth ngjarjes. Një inspektim të vendngjarjes janë duke bërë edhe inspektorët e ISHP-së, për të parë nëse janë zbatuar kushtet e sigurisë në punë.

Të dy viktimat ishin të martuar. Njëri prej tyre kishte gjashtë fëmijë.

Top Channel