“Shfaqja” e fundit e Drita Pelinkut

03/10/2013 00:00

Është përcjellë me duartrokitje të shumta drejt varrezave të Sharrës, ku trupi i saj do të prehet në përjetësi. Ka qenë ky vetëm një prej akteve të mirënjohjes që kolegët dhe njerëzit që e deshën atë dhe vlerësuan veprën dhe kontributin e saj për artin shqiptar, por edhe njerëzillëkun që e karakterizonte figurën e Drita Pelinkut, kryen në nder të kësaj ikone të kulturës shqiptare.

Më herët, në mjediset e Teatrit Kombëtar janë mbajtur homazhe, për të çmuar zonjën e madhe të kinemasë dhe skenës shqiptare. Kolegët, miqtë dhe familjarë e dashamirës të saj, i kanë përcjellë respektet e fundit kësaj figure të shquar, e cila do të ngelet gjatë në kujtesën e këtij vendi.

Aktorja Tinka Kurti deklaroi: “Ishte person që donte vetëm të mirën dhe shikonte vetëm pozitiven tek gjithçka. Kam humbur një shoqe dhe më vjen shumë keq.”

Ndërsa aktori Vangjel Toçe theksoi se Drita Pelingu “kishte pasion, dashuri për profesionin dhe korrektësi brenda dhe jashtë skenës”.

“Ajo kishte një interpretim shumë emocional. Do të jetë e paharruar për mua”, u shpreh Margarita Xhepa.

Edhe Ministrja e re e Kulturës, Mirela Kumbaro, ka qenë e pranishme në ceremoni për të nderuar kujtimin e zonjës Pelingu.

Ndërsa shkrimtarja Meri Lalaj ka përcjellë një mesazh të fundit të saj, të cilin për shkak të shëndetit të rënduar, aktorja nuk mundi ta çonte vetë deri në fund. Ajo ka bërë thirrje që Arkivi i Shtetit të ruajë të gjitha dokumentat, filmat dhe trashëgiminë artistike që Drita Pelinku ka lënë pas për të mbetur përherë në kujtesën dhe vëmendjen e brezave që do të vijnë.

Top Channel