Bushati: Kreu i opozitës të pritet si ministër

19/09/2013 00:00

Shefi i diplomacisë shqiptare, Ditmir Bushati, i ka kërkuar të gjithë
stafit të Ministrisë së Punëve të Jashtme që të ndryshojnë rrënjësisht
imazhin e këtij institucioni, duke mos ndodhur më që opozita të
anatemohet nga ambasadat tona apo sektorët e diplomacisë.

Ministri Bushati, i cili dje është prezantuar me stafin e tij, ka bërë të ditur se ambasadat tona në botë, në rast vizite zyrtare apo joformale të kreut të opozitës, Lulzim Basha, ai duhet të pritet dhe të shoqërohet nga përfaqësitë diplomatike me statusin e një ministri.

Të njëjtën gjë, Bushati u ka kërkuar edhe për figura të larta të opozitës shqiptare. Ministria e Punëve të Jashtme ka lëshuar një njoftim zyrtar, mbi takimin prezantues të ministrit Bushati me stafin e tij. Në njoftimin e zyrës së shtypit, theksohet se “në fjalën e tij, Bushati falënderoi gjithë punonjësit e Ministrisë së Jashtme për punën e kryer deri tani.

Ai më tej vuri theksin tek disa nga prioritetet e politikës së jashtme që tashmë janë të përfshira në programin e qeverisë së re, duke nënvizuar se objektiv kryesor mbetet integrimi i vendit në Bashkimin Europian dhe një prezencë e re e Shqipërisë në rajon. Pas takimit prezantues me stafin, ministri Bushati zhvilloi një takim të veçantë me drejtorët e MPJ-së, ku u njoh me punën dhe kompetencat e çdo drejtorie, me aktivitetet më të afërta të MPJ-së por edhe me problematikën e Ministrisë së Jashtme dhe sfidat e ardhshme. Ministri Bushati prezantoi dhe kabinetin e tij, një staf krejtësisht i ri, i edukuar në shkollat perëndimore, që do të sjellin një energji të re në punën e diplomacisë”. Kështu Pirro Vengu është emëruar shef i kabinetit të ministrit; Ravesa Lleshi është emëruar këshilltare për organizatat ndërkombëtare; Enzo Shijaku për diplomacinë ekonomike dhe Glevin Dervishi, këshilltar për marrëdhëniet me mediat. Mazhoranca ka premtuar një reformë në politikën e jashtme, duke e depolitizuar shërbimin diplomatik dhe për ta zhveshur atë nga praktikat e vjetra të nepotizmit dhe lidhjeve politike. Në muajt në vazhdim pritet që mazhoranca e re të bëjë edhe propozimet përkatëse për emërimet në postet kyçe në selitë diplomatike në Perëndim, duke rritur numrin e profesionistëve dhe duke ulur atë të përfaqësuesve politikë.

Stafi i Bushatit

Pirro Vengu, shef kabineti

Ravesa Lleshi, këshilltare për

organizatat ndërkombëtare

Enzo Shijaku, këshilltar

për diplomacinë ekonomike

Glevis Devishi, këshilltar për mediat

Top Channel