Kryeministria publikoi dokumentin shoqërues të vendimit për Kodin Etik ministror, ku janë listuar 41 nene, miratuar në mbledhjen e parë të qeverisë.

“Ky kod etik, një risi e qeverisë Rama, është konceptuar si një mjet për të nxitur përmirësimin e vazhdueshëm të qëndrimeve dhe sjelljeve drejt standardeve më të larta të drejtimit dhe ridimensionimin e moralitetit të zakonshëm në sferën e çështjeve qeveritare”, thuhet në parathënien e këtij dokumenti.

Në pikën 8 të këtij neni thuhet se, anëtari i Këshillit të Ministrave duhet të parandalojë, si dhe të marrë të gjitha masat për ndërprerjen e gjendjes së konfliktit ndërmjet detyrës publike dhe interesave të tij private.

Nëpërmjet nenit 10 pika dy, kodi u kërkon ministrave të nxisin ngritjen profesionale dhe sjelljen jopartiake të anëtarëve të shërbimit civil në ministrinë që ai drejton dhe në institucionet e vartësisë. Një vend i veçantë në Kodin e Etikës i kushtohet marrëdhënies me median.

“Veprat publike dhe çdo produkt i veprimtarisë qeveritare, që realizohet me fonde publike, mund të përdoren për publicitet dhe në reklamat e qeverisë, por nuk duhet të prezantohen si meritë e një apo disa partive politike”, thuhet në nenin 14.

Në mënyrë që të garantohet bashkërendimi i efektshëm i punës së kabinetit qeveritar, neni 15 në kod i kërkon ministrave që për përmbajtjen dhe kohën e të gjitha prononcimeve madhore, fjalimeve, deklaratave për shtyp dhe nismave të reja duhet, për sa është e mundur, të merret pëlqimi i Zyrës së Komunikimit, pranë Këshillit të Ministrave.

Top-Channel ka mësuar se për hartimin e këtij kodi është marrë për bazë ai i kryeministrisë britanike 10 Downing Street.

Top Channel