Rruga Tiranë-Farkë, Basha inspekton punimet

06/09/2013 00:00

Territorit të Tiranës do t’i shtohet rruga që do të bëjë lidhjen e pjesës lindore të qytetit me zonën e Farkës.

Kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha inspektoi të premten punimet në këtë rrugë, punime të cilat financohen nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe BERZH, me një shumë prej afro 190 milion lekë.

Sipas kryetarit të Bashkisë së kryeqytetit kjo rrugë do të rrisë zhvillimin e kësaj zone dhe 20 mijë banorëve të saj, ndërkohë që shtoi se investimet e Bashkisë në këtë zonë mungonin prej 15 vitesh.

“Rëndësia e kësaj arterie është në 3 plane, së pari për banorët e zonës, të cilët për një periudhë 15-vjecare nuk kanë patur asnjë segment rrugor të shtruar apo të asfaltuar, tani do të kenë një rrugë të parametrave europiane dhe bëhet fjalë për një komunitet prej 20 mijë banorësh. Së dyti rruga do të shërbejë si një unazë rajonale e pjesës lindore të Tiranës dhe komunave përreth duke lidhur për një pjesë të shkurtër me parametra të mira pa patur nevojë të futen në qendër të Tiranës, të gjithë pjesën e Bërzhitës, Farkës, Dajtit dhe natyrisht pjesën lindore dhe juglindore të qytetit të Tiranës”, tha Basha.

Sipas zotit Basha kjo zonë bën pjesë në një nga tetë komunat që rrethojnë territorin e kryeqytetit, për të cilat tha se Bashkia ka parashikuar investime në infrastrukturën rrugore që do të ulin trafikun dhe do të krijojnë lirshmëri në lëvizjen e qytetarëve të Tiranës.

Top Channel