Dy takime në harkun kohor të dy muajve mes kryeministrit të zgjedhur Edi Rama dhe atij turk, Reccep Tayyip Erdogan.

Për rreth dy orë e 30 minuta, Edi Rama, së bashku me ministrat e kabinetit qe do të drejtojë në shtator, Ditmir Bushati, Ilir Beqaj, Saimir Tahiri dhe Edmond Haxhinasto u pritën në Stamboll nga kryeministri Turqisë, në një takim të cilin shefi i ardhshëm i qeverisë shqiptare e quajti si një mikpritje të shkëlqyer.

Siç njofton Departamenti i Komunikimit nga zyra e kryeministrit të zgjedhur, tema kryesore e bisedës ishte bashkëpunimi reciprok mes dy vendeve, sidomos në fushën e shëndetësisë, energjisë, turizmit dhe infrastrukturës.

Mësohet se bashkëpunimi në NATO ishte një tjetër temë e rëndësishme e bisedës Rama Erdogan, që marrëdhënien mes dy vendeve e konsideruan strategjike. Në përfundim të takimit Edi Rama dha këtë koment.

”Takimi me kryeministrin Erdogan ishte vazhdimi i një bisede të filluar për të vendosur së bashku piketat e një bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Turqisë që do të jetë një bashkëpunim me një intensitet të panjohur më parë. E për këtë arsye ne ngritëm paraprakisht një grup pune, ndërsa sot erdhëm me disa nga ministrat që ishin dhe pjesëtarë të grupit të punës për të çuar përpara idetë dhe për të hedhur draftin më elementar të një projekti të përbashkët bashkëpunimi dhe zhvillimi. Ne e konsiderojmë Turqinë një partner strategjik dhe ne kemi vlerësuar se ky partneritet ka një potencial të jashtëzakonshëm e të pashfrytëzuar dhe jemi të bindur se në katër vitet e ardhshme do bëjmë të mundura gjëra të cilat fatkeqësisht në të shkuarën nuk janë bërë dot të mundura”, deklaroi në përfundim të këtij takimi, kryeministri i zgjedhur, Edi Rama.  

Top Channel