“Rama, pushtet me vota të vjedhura”

18/07/2013 00:00

Rezultatin e dalë nga rinumërimi i 10 kutive të votimit të Qarkut të Lezhës, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, e ka komentuar edhe kryeministri në detyrë, Sali Berisha.

Në faqen e tij në Facebook, Berisha thotë se “ky është një pushtet i ngritur mbi vota të vjedhura”.

“Ne 10 kuti 706 vota të vjedhura. Ky është pushtet mbi vota të vjedhura! Të dashur miq, nga hapja e 10 kutive të votimit dhe nga verifikimi i tabelave të rezultateve të Qarkut të Lezhës doli se Edi Rama me bosët e drogës dhe krimit kishte vjedhur me falsifikim tabelash dhe mashtrim në numërim 706 vota. Ky është ndryshim! Vjedhje votash me drogë dhe trafiqe!”, shkruan Berisha.

Ditën e enjte, në sallen e mbledhjeve të KQZ-së u rinumeruan votat e 10 kutive që i përkasin qytetit të Lezhës, për të cilat Partia Demokratike kërkoi rivlerësim të tabelave të rezultateve të tyre. Rinumërimi dëshmoi në sallën e KQZ-së manipulim të rezultatit në këto qendra edhe nga grupet e numërimit.

Nga 39 vota që bënë diferencën e mandatit të fundit të këtij qarku, i cili sipas vendimit të KQZ-së, i shkoi PD, diferenca thellohet në 306 vota në favor të koalicionit të djathtë.

Nga ana tjetër, Partia Socialiste kërkon pavlefshmëri në 6 qendra të votimit në Qarkun e Lezhës, kutitë e materialeve zgjedhore të të cilave gjithashtu u hapen nga KQZ. Bëhet fjalë për katër kuti të Laçit, ku në ditën e zgjedhjeve ndodhi edhe incidenti me armë zjarri dhe u shoqërua me humbjen e jetës së një simpatizanti të LSI, incident pas të cilit komisionerët e majtë u larguan për disa orë.

Të majtët thonë se gjatë këtyre orëve jane intimiduar zgjedhësit, duke kërkuar për to pavlefshmëri. Të njëjtën kërkesë, PS ka edhe për dy qendra të tjera votimi të këtij qarku. Në njërën rezulton se ka më shumë vota se votues, ndërsa në qendrën tjetër, atë të Mamurrasit, sipas ankimit të PS,  70 % e votuesve nga një pjesëmarrje rekord prej 90.2 % në zgjedhje, rezultojnë të jenë emigrantë që nuk kanë qenë ditën e zgjedhjeve në Shqipëri, verifikuar edhe nga sistemi TIMS, sipas PS.

Një tjetër ankimim që pritet të shqyrtojë KQZ është ai në Qarkun e Shkodrës, ku Partia Republikane pretendon se i janë vjedhur votat nga Partia Demokratike.

Top Channel