Pas Londrës, kryetari i Partisë Socialiste dhe kryeministri i ardhshëm i vendit, Edi Rama u ndal në Romë ku u takua me kryeministrin Enrico Letta dhe pjesëtarë të tjerë të kabinetit të tij.

Vizita në Romë ka nisur me një takim në Fondacionin Italian “Europei” ku të pranishëm ka qenë edhe dy ish-kryeministrat italianë, D’Alema dhe Amato. Nëpërmjet Facebook, Rama thotë se është biseduar për mbështetjen teknike të realizimit të programit të qeverisë së majtë.

Më pas Rama është pritur nga kryeministri Enrico Letta. “Dreka në Selinë mikpritëse të Kryeministrisë me kryeministrin Letta, mundësoi nisjen e komunikimit për një kapitull të ri në bashkëpunimin mes dy vendeve”, shkruan Rama.

Kryetari i Partisë Socialiste është takuar edhe me ish-kryeministrin italian, Silvio Berlusconi, me të cilin, sic thotë Rama në Facebook, është biseduar për krizën ekonomike dhe për rrugët e mundshme të rritjes së investimeve italiane në Shqipëri.

Rama jep vlerësimin dhe përshtypjet për vizitën dhe takimet në Romë.

“Kjo ditë konfirmoi plotësisht dëshirën e vullnetin dypalësh për të forcuar partneritetin strategjik që lidh tradicionalisht dy vendet tona”, thotë Rama.

Top Channel