Dështimi i teknologjisë në zgjedhje

19/06/2013 19:45

Partia Socialiste do të depozitojë të enjten në prokurori kallëzim penal për dëmin e shkaktuar nga dështimi i teknologjisë në zgjedhje, shoqëruar me një faturë financiare e përllogaritur në disa miliona euro.

Në bindjen e opozitës, dështimi i projektit të identifikimit dhe regjistrimit elektronik të zgjedhësve në Tiranë, që kishte dhe kontratën më të lartë financiare, ishte i qëllimshëm.

Nënsekretari zgjedhor në PS, Koli Bele tha për Top Channel se në këtë rast është shkelur neni kushtetues i interesit të ligjshëm të shtetasve. “Në rastin konkret kemi dhe dëmin ekonimik në shifra të konsiderueshme”, thotë Bele.

Për Partinë Socialiste, KQZ është në shkelje të një sërë nenesh të Kodit Zgjedhor, që lidhen kryesisht me afatet detyruese për realizimin e projektit të Tiranës, mungesën e akteve ligjore për të, prishjen e njëanshme të kontratës me kompaninë zbatuese “Indra”.

“Këto janë shkelje që në një shtet funksional prokuroria duhet të hetojë kryesisht për investime publike të çuara dëm. Përgjegjësia në këtë rast është e KQZ-së dhe e administratës, ku pjesë e saj kanë qenë komisionet e hartimit të dokumentacionit për kontratën, pra ka qenë një strukturë që ka bashkëpunuar për dështimin e projekteve”, ka nënvizuar Bele.

Për Partinë Socialiste, ky duhet të jetë rasti që t’i japë fund njëherë e përgjithmonë mosndëshkimit të zyrtarëve që përmes shkeljeve të ligjit i shkaktojnë shtetit dëm financiar. Në rastin konkret me një përllogaritje të përafërt dëmi pati kosto që është paguar nga taksat e shqiptarëve në vlerën 3.4 milionë euro.

Top Channel