PS, miting përmbyllës në Elbasan

16/06/2013 00:00

Në Elbasan, Edi Rama tha se Sali Berisha duhet të përgjigjet para shqiptarëve për varfërinë në të cilën ka zhytur, siç tha ai, të gjitha familjet e thjeshta të këtij vendi.

“Sali Berisha duhet të përgjigjet përpara Elbasanit për tunelin më të gjatë të papunësisë që ka hapur në këtë qark. Saliu duhet të përgjigjet përpara Elbasanit për tunelin më të errët të ndotjes që ka hapur në këtë qark. Saliu duhet të përgjigjet përpara Elbasanit për tunelin e gjatë të varfërisë që ka hapur në këtë qark”, theksoi kreu i PS-së.

Sipas Ramës, kryeministri i cili para 8 viteve kërkoi votën në emër të duarve të pastra, sot fshihet pas zullumeve të tij: “Sot, tetë vjet më pas, Saliu duhet të përgjigjet për tunelin më të errët të korrupsionit që u hap ndonjëherë në Shqipëri.”

Për liderin e opozitës, 23 qershori do të jetë dita e një ndryshimi të madh: “A e kuptoni tani pse Saliu u nxitua dhe inauguroi tunelin? Sepse Saliu kujton se me këtë tunel shqiptarët do të harronin gjithë këto tunele të tjera ku Saliu i mban peng.”

Kryesocialisti tha se rruga Tiranë-Elbasan do të përfundohet nga socialistët, ashtu siç do të ndërtohen sipas tij me standarte europiane të gjitha rrugët në këtë vend.

Ndërkohë, një përgjigje për kryeministrin Berisha ka ardhur edhe nga deputeti Ben Blushi: “Më kollaj shkon Saliu në Hënë me not sesa unë në PD. Më kollaj bëhet Saliu eskimez sesa shkoj unë në PD.”

Top Channel