Të majtët shkarkojnë Kosovrastin

03/05/2013 00:00

Në mbledhjen jashtë radhe të këshillit bashkiak të Tiranës, e thirrur nga 31 këshilltarët e majtë dhe që u zhvillua jo në sallën e mbledhjeve, por në paradhomën e saj, u shkarkua kryetari demokrat i këshillit, Njazi Kosovrasti dhe u zgjodh socialisti Aldrin Dalipi.

“39 vota shkuan për shkarkimin e zotit Kosovrasti, ndërsa 24 vota nuk u përdorën pasi këshilltarët e djathtë nuk ishin prezent. Në prezencën e të gjitha mediave, me një transparencë absolute, komisioni emëron kryetar të këshillit bashkiak zotin Aldrin Dalipi”, deklaroi Mehmet Hasalami, kryetar i komisionit të këshillit.

Në mungesë të këshilltarëve të djathtë dhe të kreut të saj, mbledhja jashtë radhe e këshillit u drejtua nga sekretari i këshillit dhe u ndoqën të gjitha proçedurat, që nga miratimi i rendit të ditës, votimi i tij dhe mbajtja e proçes-verbalit me 31 firmat e këshilltarëve.

Ndonëse sipas ligjit mbledhja jashtë radhe thirret nga 1/3 e anëtarëve, për shkak të ndryshimit të mazhorancës dhe kreut të saj, këshilltarët e djathtë nuk janë paraqitur në mbledhje, ndonëse kishin marrë njoftim për mbajtjen e saj.

Për më tepër, këshilltarët dhe media nuk janë lejuar të futen në ambientet e bashkisë, ndërkohë që ishin ndërruar bravat e dyerve të sallës së këshillit bashkiak, ishte marrë dokumantacioni dhe ishin bllokuar kompjuterat e sekretarisë.

“Kemi ezauruar të gjithë hapat ligjorë për thirrjen e kësaj mbledhjeje, që e parashikon ligji. Këtë kërkesë ia drejtuam zotit Kosovrasti që për rreth 15 ditë shpërfilli kolegët e këshillit, aq më shumë kur ata përbëjnë shumicën dominuese pasi janë 31. Të ndërrosh bravat e këshillit bashkiak është absurde, të cilësdo forcë politike qofshin ata”, deklaroi Dalipi.

“Kjo mazhorancë nuk është e stisur, por reale dhe ka këshilltarë që kanë vullnet absolut për të bërë rotacionin e kryetarit. Kjo do të thotë se vullnetin e saj nuk mund ta deformojë askush, pasi është vullneti i sovranit”, tha më pas Shezahi Rrokaj, kryetar i këshilltarëve të LSI.

Ndërkohë që reagimi i ish-kryetarit të këshillit bashkiak, Njazi Kosovrasti ka qenë: “Unë kam qenë në KQZ dhe nuk e di se çfarë ka ndodhur atje”.

Ndonëse u tentua të kontaktohej kryetari i bashkisë Lulzim Basha në lidhje me atë që po ndodhte në ambientet e bashkisë edhe në formë zyrtare, kërkesa nuk u arrit të protokollohej. Megjithatë, 31 këshilltarët kanë mbajtur një proçes-verbal duke e kosndieruar këtë mbledhje dhe vendimet e saj të vlefshme.

Duke e konsideruar shkarkimin e Kosovrastit dhe emërimin e Dalipit kryetar të këshillit bashkiak si akt nominal dhe jo normativ, ky vendim hyn menjëherë në fuqi pas vënies zyrtarisht në dijeni të tyre dhe kryetarit të bashkisë.

Pas gjithë këtyre zhvillimeve reagoi përmes një njoftimi për median edhe bashkia e Tiranës, e cila tha se nuk është zhvilluar asnjë mbledhje zyrtare e këshillit bashkiak.

Bashkia deklaroi se, dënon dhunën e përdorur nga disa këshilltarë dhe se do të bëjë kallëzim penal ndaj personave përgjegjës.

Sipas bashkisë, të gjitha veprimet e këshilltarëve të majtë janë në kundërshtim flagrant me ligjin dhe janë të motivuara nga fryma e konfliktit politik.

Top Channel