Dëbohet nga azili i moshuari

31/03/2013 20:15

Një ngjarje e paprecedentë ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në shtëpinë e të moshuarve në Tiranë.

Drejtori i azilit, Hysni Kuka, ka përzënë nga shtëpia një të moshuar, Zeqir Gjonin, 76 vjeç, duke e dërguar atë në qendrën e Poliçanit.

I moshuari thotë se është dëbuar me ndihmën e policisë, të cilët e kanë marrë me forcë dhe e kane dërguar, në orët e vona të natës, në Qendrën e Shërbimeve Sociale në Poliçan.

“Më thanë bëhu gati, se nesër do të shkosh në Poliçan dhe e la me kaq. Kur ky kishte bërë letrat gati dhe në orën 6-7 të natës, të premten, ka ardhur policia. Në Poliçan unë asnjëherë s’kam qenë, por më çuan atje në majë të malit. Kam shkuar e kam takuar drejtorin, i cili u habit se si kishte mundësi që kisha shkuar me policë. I thashë që këtu më ka sjellë drejtori. Unë i bëj apel qeverisë, që pak a shumë e dinë këtë çështje, t’i japin një zgjidhje kësaj pune, mos më lënë rrugëve”, u shpreh Zeqir Gjoni.

Largimi i të moshuarit, nga Tiranë në Poliçan, është bërë pa dijeninë e institucionit përgjegjës për këtë kategori, Shërbimi Social Shtetëror. I kontaktuar me telefon, specialisti i Shërbimit Social, zoti Gëzim Tushi, tha se është në dijeni të konfliktit mes drejtorit të azilit dhe Zeqir Gjonit, por vendimi i marrë, për largimin e tij nga shtëpia, është i paarsyetuar dhe i pabazë.

“Ka një proçedurë e praktikë të gjatë të informacioneve shkresore dhe të inspektimeve ose monitorimeve, që janë bërë nga Shërbimi Social Shtetëror, për ta zgjidhur problemin e këtij konflikti midis drejtorit të institucionit, zotit Hysni Kuka, dhe të moshuarit që është në këtë institucion, zotit Zeqir Gjoni. Nuk më duket normale, që ka ndodhur largimi i të moshuarit nga shtëpia e të moshuarve të Tiranës në qendrën polivalente të Poliçanit, jo se ka ndonjë anomali si proçes transferimi, por më duket se nuk është i bazuar në standardet e ndryshimit të pozicioneve të të moshuarve, nga njëra shtëpi e të moshuarve te një tjetër. Para 3-4 ditësh kam shkuar vet personalisht, bashkë me një kolegen time, për ta zgjidhur problemin dhe kemi menduar se zgjidhja ka qenë e mundshme dhe i moshuari duhet të qëndronte në Tiranë, sepse sipas gjykimit tonë, megjithë ankesat që ka drejtori për të, nuk ka pasur ankesa që të jenë substanciale për të bërë këtë akt mekanik, sipas meje, largimin e tij nga institucioni në mënyrë të tillë”, deklaroi Gëzim Tushi.

Nisur nga situata e nderë, e krijuar në azil, dhe pas ngjarjes së fundit, drejtoresha e Shërbimit Social Shtetëror do t’i kërkojë të hënën, përmes një shkrese zyrtare, ministrit të Punës, largimin e menjëhershëm nga posti i drejtorit të azilit, të zotit Hysni Kuka.

Top Channel