Topi: Berishës i ka humbur busulla

28/03/2013 00:00

Çështjet e pronësisë, të kthyera në një nyje gordiane për poltikën shqiptare, u diskutuan në një tryezë të organizuar nga FRD, nga ku kreu i kësaj partie, Bamir Topi, akuzoi qeverinë dhe organet që lidhen me shqyrtimin e pronave, për grabitje apo tjetërsim të tyre.

“Kujt mund t’i mbushet mendja, që rregullimi i çështjes së pronësisë do të na vika nëpërmjet kompesimit financiar. Askush! Askush nuk mund ta besojë këtë. Në një ekonomi, që ka një gropë të zezë financiare; në një anije, që fut ujë në të gjitha drejtimet; me një kapiten anije të çthurur, që ka humbur jo vetëm drejtimin e anijes, por edhe busullën. Për të mos vazhduar pastaj tek ai komiteti i famshëm i rikthimit e kompesimit të pronave; te njësitë inkuizitore nëpër prefektura, ku prapë janë nëkëmbësit e tij; te bunkeri tjetër i hipotekave, aty ku të ikën titulli i pronësisë, aty ku ndërrohen hartat, aty ku ndërrohet pronësia, aty ku kanë paturpësinë që të ndërtojnë, dhe aty ku kalonte Lana dikur”, deklaroi Topi.

Duke iu referuar strategjisë së Katovicës, z. Topi theksoi se kryeministri shqiptar është i treti në listë, pas Gorbaçovit dhe Ramiz Alisë, në skenën e vjedhjes së pronave, duke qënë sipas radhës skenaristi, regjizori dhe aktori. Topi lëshoi akuza të rënda ndaj kryeministrit Berisha, kur e quajti pasardhës të Ramiz Alisë.

“Ky njeri i mbushur me një urrejtje patologjike, ky njeri i mbushur me një urrejtje, që e nxjerr në pah sa më shumë i vjen fundi i pushtetit, duke dashur të mbulojë, atë që ka bërë gjatë gjithë këtyre viteve, ka krijuar një plan tjetër, duke udhëzuar ministritë për një projekt-ligj, “Shqipërinë 1 euro”. Por çfarë ndodh sot? Në institucionet, të cilat drejtohen nga pasardhësi i Ramiz Alisë, brenda Kryeministrisë, nën pushtetin e tij dhe nën hundën e tij, ekziston njësia antikorrupsion për të parë se ç’bëhet në strukturat që ai ka nën kontroll, që të ketë rrobën e supervizorit për të intimiduar njerëzit”, shtoi më tej Topi.

Sipas Bamir Topit, asnjë nga partitë politike nuk i dha zgjidhje çështjes së pronave, prandaj, theksoi ai, FRD propozon një pakt kombëtar dhe ngritjen e një sekretariati shteti për pronat.

Top Channel